Transmetuar më 19-10-2026, 13:41

TIRANË — Shqipëria është përfshirë në një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit për sigurinë e infrastrukturës dixhitale në vendet në zhvillim, ku Uashingtoni vlerëson përparimin e bërë nga autoritetet shqiptare pas sulmit kibernetik të vitit 2022, të mbështetur nga Irani.

Në dokumentin e paraqitur në Kongresin amerikan, Departamenti i Shtetit bën me dije se SHBA i u përgjigj goditjes dixhitale ndaj Shqipërisë me një paketë ndihme shumëvjeçare prej 25 milionë dollarësh. Konsultimet dhe trajnimet e nisura në fillim të vitit 2023 ndihmuan qeverinë shqiptare të përcaktonte objektivat strategjikë, duke çuar në prill të vitit 2024 në miratimin e ligjit për sigurinë kibernetike dhe ngritjen e agjencisë kombëtare përkatëse.

Dokumenti evidenton ngritjen e dy struktura të rëndësishme operacionale: një Qendre Operacionale të Sigurisë (SOC) për mbrojtjen e rrjeteve qeveritare dhe një qendre kombëtare për mbrojtjen e rrjeteve të infrastrukturës kritike. Këto njësi shërbejnë si partnerë për paralajmërimin e hershëm dhe rrisin aftësinë për identifikimin e kërcënimeve që lidhen me Iranin.

Raporti ndalet gjithashtu te dy incidente konkrete ku ndihma amerikane dha rezultate: një sulm kibernetik në tetor të vitit 2024 që preku një spital të madh dhe një sulm tjetër në qershor të vitit 2025 ndaj rrjeteve të Bashkisë së Tiranës. Departamenti i Shtetit vlerëson se qeveria shqiptare reagoi shpejt dhe në mënyrë efektive për të kufizuar dëmet. Megjithatë, dokumenti nuk specifikon emrin e spitalit e as nuk paraqet vlerësime financiare të dëmit, duke mos e konfirmuar drejtpërdrejt origjinën iraniane për këto dy raste të fundit.

Gjithashtu, Shqipëria është anëtarësuar në FIRST (Forumi i Ekipeve të Reagimit ndaj Incidenteve të Sigurisë dhe Kompjuterëve), një rrjet ndërkombëtar që lehtëson bashkëpunimin për kërcënimet kibernetike. Pavarësisht vlerësimit pozitiv, Departamenti Amerikan i Shtetit nënvizon se Shqipëria ka ende nevojë për mbështetje të mëtejshme për të zhvilluar kapacitetet e saj mbrojtëse në kuadër të strategjisë globale për sigurinë e infrastrukturës dixhitale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit