

TIRANË — Një seri kërcënimesh me bombë ka alarmuar sot autoritetet dhe institucionet kryesore shtetërore në vend, pasi një mesazh elektronik me përmbajtje ekstremiste ka mbërritur në adresat zyrtare të disa dikastereve qendrore dhe organeve të drejtësisë.
Sipas të dhënave, i njëjti e-mail kërcënues është dërguar në Kryeministri, ministri të ndryshme, institucione të sistemit të drejtësisë, si dhe në Bankën e Shqipërisë.
Lidhur me përmbajtjen e mesazhit kërcënues që ka vënë në lëvizje organet e sigurisë, në e-mail shkruhej:
"Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati."
Pas marrjes së sinjalizimit, procedurat e emergjencës kanë nisur menjëherë në disa rrethe, ku midis të tjerash janë evakuuar me shpejtësi godinat e Gjykatës dhe Prokurorisë së Fierit. Administrata publike është nxjerrë jashtë objekteve, ndërsa forcat e Policisë së Shtetit dhe njësitë xhenio kanë rrethuar zonat dhe kanë nisur kontrollet e imtësishme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






