

Kryeministri Edi Rama në takimin me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit që u transmetua në faqen e tij në Facebook përdori një gjuhë të ashpër ndaj protestuesve dhe paralajmëroi ndëshkim të gjerë për ata që janë përfshirë në dhunë.
Rama foli për ekstremizëm dhe të rinj që sipas tij duan përmbysje, kur tha: "Me këtë (gurin) nuk negociohet dhe me këdo që vë përpara këtë, nuk negociohet, sepse në momentin kur shteti negocion me këtë, ka rënë. Dhe në momentin kur fiton ky, atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film, më shumë se një herë dhe ka parë se si pasojat e këtij, janë plagë që duan vite të tëra për t’u shëruar.
Natyrisht, që kjo nuk do të thotë aspak që kush sot proteston paqësisht edhe pse janë shumë pak ata që protestojnë paqësisht, sepse dhe vajzat dhe djemtë që i bashkohen këtij, në thelb nuk duan paqe, duan përmbysje. Janë të rinj dhe të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar nën trysninë apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në SHBA, të cilën presidenti i SHBA e ka shpallur organizatë terroriste, ANTIFA. Organizatë terroriste e ka shpallur presidenti i SHBA.
Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot 7 fjalë bashkë, mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë. Aspak! Janë studentë dhe studente, po patjetër. Janë nxënës dhe nxënese, po patjetër. Por janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision; shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka, bëje rrafsh se do ta fillojmë nga e para".
Më tej ai foli për rini që pëlqen dhunën, kur përmendi pjesëmarrës në protestë që sipas tij "adhurojnë molotovin, adhurojnë ato llastiqet me vida dhe me saçme që godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin dhe pastaj iu turren dyaneve si brumbuj që brejnë jetën, brejnë djersën, brejnë gjakun e familjeve që jetojnë me ato dyqane".
Në këtë pikë ai foli me gjuhën bulizuese kur përmendi njerëz që vijnë nga periferia: "Si mund të përkrahet, si mund të himnizohet, si mund të adhurohet kjo masë, e cila ka nevojë për psikologë, e cila ka nevojë për t’u trajtuar nga shoqëria, si një masë njerëzore vajzash dhe djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën dhe që kanë brenda të gjitha keqkuptimet e mëdha të një kohe kur shohim ne ekranin e telefonit, sesi disa të tjerë e disa të tjera që jetojnë me online-in dhe bëjnë nga dhjetëra, mijëra euro pa paguar asnjë taksë, mund të hanë e të pinë e të vishen e të jëtojnë në luks. Dhe ata pastaj përdoren nga këto forca të tjera, nga ANTIFA e nga shërbime të huaja e nga armiq të Shqipërisë, dashakëqinj të Shqipërisë".
Në vijim Rama tha: "…Po çfarë studentësh janë këta? Si mund të jenë studentë ata që admirojnë gurin? Si mund të jenë studentë ata që rrinë mbrapa atyre që hedhin gurë dhe i duartokasin kur digjet polici? Si mund të jenë studentë ata që duartrokasin djegien e bizneseve të vogla, e familjeve që e shtrojnë tavolinën e bukës me punën që bëjnë ato kioska? Si mund student ata që duartrokasin djegien e zyrave të bankave. Ata që duan trokasin shkuljen e automateve, si mund të jenë studentë? Ata që kujtojnë se brenda automatit do gjejnë një pasuri dhe në sportet e bankave do gjejnë depozitat e shqiptarëve. Ata nuk janë studentë! S’ka si të jenë studentë edhe pse mund të jenë të regjistruar në shkollë".
Këtu Rama foli dhe për pjesëmarrësit e tjerë të protestës që nuk përdorin dhunë duke i bërë dhe ata me faj: "Kam parë, po i kam parë dhe unë vajza dhe djem të bukur, të bukur. Ata s’janë huliganë si ata të gurit, të hurit dhe të zjarrit, por janë të ekstremizuar, janë të verbuar nga ideja se hajde ta kthejmë njëherë përmbys se pastaj do bëhet më mirë. Si do bëhet më mirë? Si mund të bëhet më mirë duke kthyer përmbys? Çfarë do kthehet përmbys? Vullneti i popullit do kthehet përmbys?".
Rama përforcoi deklaratën e tij kur përmendi dhe rastin e një vajze: "Pashë dje një vajzë nën uniformë e cila ruante shtetin në bulevard dhe kishte përball një tjetër vajzë te veshur e të mbathur nga kokat e këmbët si e dalë nga Instagrami edhe me kufje në vesh që i kthehej vajzës nën uniformë me një fjalor rrugaçëror prej burrash të dehur. Një nga simbolet e protestës".
Në fund të fjalës së tij të gjatë, Rama u shpreh i bindur se do të triumfojë: "Nuk diskutohet që shteti do ta fitojë këtë betejë dhe nuk diskutohet që kush mendon se e vuri shtetin përpara dhe kush mendon se do të marrë pushtetin me dhunë, do të zhgënjehet".
Madje ai foli dhe për zhdëmtim kur tha: "Kush i është vënë në dispozicion këtij plani qorrazi, do të paguajë. I them të gjitha familjeve të atyre të miturve, do të paguani, në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t’i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve nga 15 e 14 vjeç e nga 13 vjeç, e nga 16 vjeç që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa, atëherë fatura financiare për të gjitha ato dëme, do t’ju përndjekë deri në fund.
U them të gjithë atyre të tjerëve që ikin nga shkolla për të dhunuar policinë, që nuk do të kthehen në shkollë normalisht pa pasoja administrative për këtë. Nuk do të kenë arsim falas. Ata studentë që dalin dhe dhunojnë policinë e shtetit nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti, nëse duan të vazhdojnë universitetin pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë që janë fëmijët e efektivëve të Policisë apo që janë fëmijët e kujtdoqoftë që është në anën e shtetit.
Asnjë kokërr leku nuk do marrin ata nga taksat e shqiptarëve për asgjë. Sepse me taksat e shqiptarëve do të riparojmë trotuaret, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë semaforët, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë kamerat që ata shkatërruan, tabelat, stolat. Me taksat e shqiptarëve do zëvendësojmë pemët.
Nuk do paguajmë nga taksat e shqiptarëve për këta djem dhe vajza që kujtojnë se u bë deti kos për ‘’Antifën’’ edhe për gjithëfarë lloj delirantësh, edhe për gropën e madhe të fshehjes së të ardhurave të shtetit".
Rama pati një kërcënim publik dhe për mësues që përkrahin protestën kur tha: "Mësues, mësues që marrin nxënësit dhe i nxjerrin nga shkolla dhe i thonë bjeri xhamave të shkollës siç ndodhi në Lezhë. Ajo mësuese dhe ata mësues nuk kanë për ta parë më derën e shkollës dhe nuk do marrin më asnjë lloj roli si punonjës të shtetit, kurrë në shtet më. Më si mundet një mësues t’i thotë nxënësit të thyej xhamin e shkollës? Çfarë është kjo? Lëvizje për ta bërë Shqipërinë më të mirë, më europiane, më demokratike, më njerëzore".
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






