

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa drastike ndëshkuese edhe ndaj arsimtarëve që, sipas tij, nxisin nxënësit të marrin pjesë në acte dhune apo të dëmtojnë godinat e institucioneve arsimore.
Duke iu referuar veçanërisht një incidenti të pretenduar në qytetin e Lezhës, kreu i ekzekutivit deklaroi se çdo mësues i përfshirë në nxitjen e trazirave do të përjashtohet përgjithmonë nga sistemi arsimor dhe nga administrata publike.
Lidhur me qëndrimin e qeverisë ndaj arsimtarëve të përfshirë në protestë, Edi Rama deklaroi:
"Mësues, mësues që marrin nxënësit dhe i nxjerrin nga shkolla dhe u thonë: ‘Bini xhamave të shkollës’, siç ndodhi në Lezhë. Ajo mësuese dhe ata mësues nuk kanë për ta parë më derën e shkollës dhe nuk do të marrin më asnjë lloj roli si punonjës të shtetit, kurrë më në shtet. Si mundet një mësues t’i thotë nxënësit të thyejë xhamin e shkollës? Çfarë është kjo lëvizje për ta bërë Shqipërinë më të mirë, më europiane, më demokratike, më njerëzore?"
Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur bojkoti i mësimit dhe marshimet e gjimnazistëve po zgjerohen në disa prej qyteteve kryesore të vendit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






