

LONDËR — Një 33-vjeçar shqiptar është dënuar me burg nga drejtësia britanike, pasi u kap duke u kujdesur për një plantacion kanabisi të ngritur brenda një shtëpie bari në zonën e Cumbrias.
Shtetasi i arrestuar, i identifikuar si Agim Cjapi, u vu në pranga nga policia angleze pasi brenda ambientit ku ai qëndronte u zbulua një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, me vlerë tregu që arrinte deri në 440,000 paund.
Pas marrjes në paraburgim, Cjapi deklaroi para hetuesve se shërbente thjesht si “kopshtar” dhe se vepronte nën udhëzimet e drejtpërdrejta të një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa gjatë seancës gjyqësore shprehu dëshirën për t’u kthyer menjëherë në Shqipëri.
Pavarësisht pretendimeve të tij, gjykata e dënoi shqiptarin me 20 muaj burgim. Vendimi u shpall në ditëlindjen e tij të 33-të, çka solli edhe një koment të pazakontë nga drejtuesja e seancës.
Pasi i lexoi masën e dënimit, gjyqtarja i uroi heqjen e lirisë me një mesazh kërkimfaljeje:
"Më vjen keq që kjo seancë dëgjimore është dashur të zhvillohet në ditëlindjen tënde. Shpresoj të kesh më shumë ditëlindje të këndshme në të ardhmen."
Shtetasi shqiptar pritet të vuajë dënimin në një nga burgët e Britanisë së Madhe përpara se të përballet me procedurat e dëbimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






