

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një paketë financiare mbështetëse për efektivët e Policisë së Shtetit të angazhuar në përballjen me protestat e ditëve të fundit, si dhe një rritje të konsiderueshme të pagave të tyre që do të hyjë në fuqi nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Gjatë fjalës së tij përpara trupave të policisë, kreu i qeverisë bëri me dije se përveç rritjes me buxhetin e ri nga 1 janari, është vendosur edhe alokimi i një shpërblimi të menjëhershëm financiar prej 2,500 eurosh për çdo efektiv që ndodhet në vijën e parë të përballjes me manifestimet.
Lidhur me mbështetjen financiare dhe qëndrimin e qeverisë ndaj trupave të rendit, Edi Rama deklaroi:
"Ne do ta rrisim në mënyrë të konsiderueshme pagën tuaj. Kur policinë e gjetëm të tradhtuar dhe të braktisur, bëmë rritje të konsiderueshme atëherë. Në vite, nuk e kemi rritur aq sa duhet pagën tuaj. Po bisedonim përpara disa javësh. Me buxhetin e ri, nga 1 janari, paga juaj do të rritet në mënyrë të konsiderueshme. Ne do vëmë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh, për çdo efektiv në front. E vendosëm kështu, për të mos bërë asnjë diferencë. Jeni një, dhe një për të gjithë. Shteti do ta fitojë këtë betejë."
Deklarata e kryeministrit vjen mes kritikave të shumta nga shoqëria civile dhe opozita mbi përdorimin e forcës, gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës nga policia gjatë përplasjeve me protestuesit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






