

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat e dhunshme dhe përplasjet e ditëve të fundit në kryeqytet dhe rrethe, duke hedhur akuza të forta ndaj manifestuesve dhe duke i cilësuar ata si të ekstremizuar.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se forcat e rendit po përballen me një valë dhune pa asnjë arsye legjitime, ndërsa theksoi se shteti nuk do të bëjë asnjë kompromis apo negociatë përballë aktit të dhunës.
Lidhur me qëndrimin e qeverisë ndaj protestave dhe ndikimin ideologjik që sipas tij po nxit të rinjtë, Edi Rama deklaroi:
"Po përballen me një valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë arsye legjitime, për të pasur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria. Kam ardhur sot prapë me këtë me vete, duhet ta mbash me vete, ta peshosh, sa i shtohet pesha kur vjen në drejtimin e njerëzve me uniformë dhe çfarë mund të bëjë mbi këdo. Me këtë nuk negociohet. Në momentin kur shteti negocion me të, ka rënë. Dhe kur fiton ky, atëherë, logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se një herë, pasojat janë plagë që duhen vite për t’u shëruar. Nuk do të thotë aspak se kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak, duan përmbysje. Janë të rinj dhe të reja të ekstremizuar nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe SHBA, që presidenti e ka shpallur organizatë terroriste, Antifën. Ata janë peng i një ideologjie të re, shkatërro gjithçka."
Kreu i qeverisë nënvizoi se pasojat e dhunës lënë plagë të thella në shoqëri, ndërsa e lidhi frymëzimin e të rinjve në shesh me lëvizje radikale ndërkombëtare.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






