Transmetuar më 18-10-2026, 23:38

Një grup prej 368 intelektualësh, emra të njohur në fushat e tyre, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për protestat studentore, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare. Në listën e intelektualëve gjenden më së shumti profesorë, pedagogë, doktorë shkencash, artistë, mjekë psikiatër, inxhinierë, ekonomistë, juristë, arkitektë, agronomë, planifikues urbanë, etj.

Në deklaratën e nënshkruar, ata shprehin shqetësim për atë që e cilësojnë si përdorim të pajustifikuar të forcës nga Policia ndaj studentëve dhe kërkojnë që autoritetet të dëgjojnë kërkesat e të rinjve.

“I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare”, thuhet në deklaratë.

Për të firmosur deklaratën, është hapur dhe një peticion online që është firmosur deri tani nga 368 pedagogë.

Sipas pedagogëve, një qeveri e tillë duhet të shërbejë për uljen e tensioneve, garantimin e stabilitetit institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

Një pjesë e fortë e apelit u drejtohet edhe punonjësve të Policisë. Nënshkruesit u kërkojnë efektivëve të mos përdorin dhunë ndaj studentëve dhe të mos zbatojnë urdhra që ata i konsiderojnë të paligjshëm.

“Mos harroni se ata që ju japin këto urdhra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju”, thuhet më tej në deklaratë.

Pedagogët i drejtohen gjithashtu përfaqësive diplomatike në Tiranë, duke u kërkuar të reagojnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve gjatë protestave.

Në të njëjtën kohë, ata u bëjnë thirrje protestuesve që të shmangin dëmtimin e bizneseve, pronës publike dhe asaj private. Sipas deklaratës, aktet e dhunës rrezikojnë të devijojnë qëllimin e protestës dhe të përdoren si argument për ndërhyrje më të forta policore.

Apeli përfshin edhe një thirrje drejtuar qytetarëve të Tiranës që të solidarizohen me studentët.

“I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës që, njësoj si në 1991, t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre”, deklarojnë pedagogët.

Ata e mbyllin mesazhin me fjalët: “Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë”.

Deklarata vjen ndërsa protestat studentore dhe qytetare të hënën pritet të hyjnë në ditën e shtatë dhe janë shoqëruar gjatë gjithë kohës me përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Kryeministri Edi Rama, nga ana tjetër, ka kundërshtuar kërkesat për dorëheqje dhe ka deklaruar se protestat po shfrytëzohen politikisht dhe nga faktorë të jashtëm.

Deklarata e publikuar nga Forumi i Dialogut Politik

Të tronditur nga dhuna e pajustifikuar e ushtruar ndaj studentëve tanë dhe shkelja e dëshmuar e të drejtave të njeriut gjatë protestës, ne një grup pedagogësh:

1. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

2.⁠ ⁠I bëjmë thirrje policisë dhe aktorëve të tjerë të ruajtjes së rendit që të ndalojnë menjëherë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të refuzojë të zbatojë urdhëra të paligjshëm. Mos harroni se ata që ju japin këto urdhëra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju që jeni dokumentuar nga filmimet e qytetarëve dhe mediave.

3.⁠ ⁠I bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike në Tiranë që të ndërhyjnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve, njësoj siç respektohen të drejtat e qytetarëve në vendet tuaja.

4.⁠ ⁠I bëjmë thirrje protestuesve që të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private për t’i hequr çdo justifikim qeverisë për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.

5.⁠ ⁠I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, që njësoj si në 1991 t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë.

Nëse ne jemi liderë në auditorët e universiteteve, sot studentët janë liderë tanë në shesh. Bashkohuni me ne për t’i mbrojtur nga dhuna.

Nënshkruaj edhe ti.

Shiko listën e intelektualëve që kanë nënshkruar deklaratën

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit