

Tensione të reja janë regjistruar rreth orës 20:50 pranë selisë qendrore të Partisë Demokratike në Tiranë, ku një grup protestuesish është futur brenda godinës për t’u strehuar, ndërsa efektivët e policisë kanë rrethuar hyrjen e jashtme.
Përfaqësues të opozitës kanë denoncuar menjëherë veprimet e policisë. Drejtuesi politik i PD-së, Belind Këlliçi, së bashku me deputetin Eno Bozdo, akuzuan forcat e rendit për hedhjen e gazit lotsjellës drejtpërdrejt ndaj selisë së demokratëve pa pasur asnjë provokim nga ana e pjesëmarrësve.
Në një deklaratë për mediat nga vendngjarja, Këlliçi e cilësoi veprimin e policisë si një tentativë direkte për të ushtruar presion ndaj opozitës dhe për të krijuar skenarë të inskenuar.
"Këtu mund të shihni dhjetëra bombula gazi, pa pasur asnjë incident. Nuk kishte asnjë provokim. Kishte vetëm një tentativë për të barazuar ngjarjen që ndodhi sot në selinë e PS-së. Ishte një skenar i Edi Ramës," u shpreh Këlliçi.
Situata në perimetrin rreth selisë së opozitës vijon të jetë nën monitorimin e forcave të rendit, ndërsa zyrtarët demokratë insistojnë se ndërhyrja përbën një shkelje të rëndë nga ana e autoriteteve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






