Transmetuar më 18-10-2026, 20:24

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka shprehur shqetësim të thellë për pretendimet mbi përdorimin e dhunës nga punonjësit e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve, me fokus të veçantë te të miturit, si dhe për shkeljen e garancive procedurale të personave të ndaluar gjatë protestave në Tiranë.

Sipas gjetjeve nga monitorimi i kryer në Bllokun e Dhomave të Sigurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, organizata konstatoi mbipopullim të ambienteve dhe kushte të papërshtatshme strehimi, ku në qeli të projektuara për një person po mbahen tre deri në katër persona, kryesisht të mitur.

Gjatë inspektimit u dokumentuan dëmtime fizike te disa të shoqëruar, ndërsa u regjistruan dëshmi të të miturve për goditje nga efektivët e policisë gjatë dhe pas shoqërimit. Një prej të miturve u dërgua për herë të dytë në Spitalin e Traumës gjatë kohës që zhvillohej monitorimi.

KShH ka denoncuar gjithashtu pengesat në komunikimin e të ndaluarve me familjarët dhe avokatët, mungesën e kujdesit mjekësor, si dhe marrjen në pyetje të të miturve pa praninë e psikologut, duke i kërkuar Prokurorisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore nisjen e menjëhershme të hetimeve për efektivët dhe zinxhirin komandues.

Deklarata e plotë:

Tiranë, më 18 tetor 2026

KShH shpreh shqetësime serioze për pretendimet për dhunë policore ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, dhe shkeljen e të drejtave të personave të privuar nga liria.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të protestave të ditëve të fundit në Tiranë, shpreh shqetësimin e thellë për pretendimet për përdorim të dhunës nga punonjësit e Policisë së Shtetit, veçanërisht ndaj të miturve, si dhe për respektimin e të drejtave dhe garancive procedurale të personave të privuar nga liria. KShH shpreh gjithashtu shqetësim për aktet e dhunës, zjarrvënies dhe dëmtimit të institucioneve publike gjatë protestave.

KShH rikujton se e drejta për tubim paqësor është një e drejtë themelore, jo një privilegj që u jepet qytetarëve nga autoritetet. Dhuna nuk duhet të jetë përgjigje ndaj protestës, as mjet i ushtrimit të saj.

Asnjë akt dhune nuk është i pranueshëm, pavarësisht se nga kush ushtrohet. Megjithatë, autoritetet shtetërore kanë përgjegjësi të posaçme për garantimin e ligjshmërisë, mbrojtjen e jetës, integritetit fizik dhe dinjitetit të çdo qytetari.

Nga monitorimi i realizuar më 16 tetor 2026, në Bllokun e Dhomave të Sigurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, KShH konstatoi kushte të papërshtatshme dhe mbipopullim të ambienteve, ku në dhoma të projektuara për një person mbaheshin tre deri në katër persona, kryesisht të mitur. Mungesa e shtretërve, dyshekëve dhe pajisjeve të përshtatshme për fjetje ngre shqetësime serioze për respektimin e dinjitetit njerëzor dhe standardeve të trajtimit të personave të privuar nga liria.

Veçanërisht shqetësuese janë pretendimet e të arrestuarve për ushtrim dhune fizike gjatë arrestimit dhe pas shoqërimit në ambiente të përdorura nga policia. Disa të mitur kanë deklaruar se janë goditur nga punonjës të policisë, ndërkohë që monitoruesi i KShH-së ka konstatuar dëmtime fizike të dukshme në disa raste. Një prej të miturve u dërgua për herë të dytë në Spitalin e Traumës gjatë monitorimit. Këto konstatime, të kombinuara me dëshmitë e personave të privuar nga liria, kërkojnë hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv, pa paragjykuar përgjegjësinë e personave të përfshirë. Hetimet nuk duhet të kufizohen vetëm te punonjësit që dyshohet se kanë ushtruar drejtpërdrejt dhunë, por duhet të shqyrtojnë edhe përgjegjësitë e mundshme të drejtuesve dhe të zinxhirit komandues, në përputhje me kompetencat dhe detyrimet e tyre ligjore.

Gjithashtu, personat e intervistuar ngritën pretendime për pamundësi komunikimi me familjarët dhe avokatët, mungesë të kujdesit të duhur shëndetësor, si dhe raste të pyetjes së të miturve pa praninë e psikologut. Këto rrethana kërkojnë verifikim të posaçëm në përputhje me garancitë e Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

KShH rikujton se liria e shprehjes dhe e tubimit paqësor janë të drejta themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Çdo ndërhyrje e autoriteteve duhet të respektojë parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut, ndërsa privimi nga liria i fëmijëve duhet të zbatohet vetëm si masë e fundit dhe për kohën më të shkurtër të përshtatshme. Fëmijët janë bartës të të drejtave dhe jo thjesht përfitues të mbrojtjes nga të rriturit. Në përputhje me nenet 3, 13, 15 dhe 37 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, atyre duhet t’u garantohet respektimi i interesit më të lartë, liria e shprehjes, e drejta për tubim paqësor dhe mbrojtja nga trajtimi çnjerëzor ose poshtërues, duke marrë parasysh moshën dhe pjekurinë e tyre.

KShH thekson se, ndonëse çdo akt dhune gjatë protestave duhet të hetohet dhe autorët e tij të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit, përgjegjësia e autoriteteve shtetërore është e një natyre të veçantë. Asnjë akt dhune nga individë të përfshirë në protesta nuk mund të shërbejë si justifikim për ndëshkimin kolektiv, përdorimin e paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve apo cenimin e të drejtave të personave të ndaluar. Veprimet e dhunshme të individëve nuk e zhveshin automatikisht një tubim nga karakteri i tij paqësor dhe nuk justifikojnë kufizimin e përgjithshëm të të drejtave të pjesëmarrësve të tjerë.

Në këtë kontekst, KShH u bën thirrje:

Prokurorisë kompetente dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të hetojnë me përparësi pretendimet për dhunë dhe keqtrajtim, veçanërisht ndaj të miturve, duke garantuar administrimin dhe ruajtjen e provave, përfshirë regjistrimet filmike, dokumentacionin e ndalimeve dhe raportet mjekoligjore, si dhe përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe të mundshme në zinxhirin komandues.

Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të marrin masa të menjëhershme për përmirësimin e kushteve në dhomat e sigurisë, garantimin e kujdesit shëndetësor dhe respektimin e të drejtave procedurale të personave të arrestuar.

Organeve proceduese të garantojnë mbrojtjen e posaçme të të miturve, respektimin e interesit të tyre më të lartë dhe zbatimin e garancive ligjore gjatë çdo veprimi procedural, duke siguruar aksesin te përfaqësuesi ligjor, komunikimin me familjarët dhe praninë e profesionistëve të kërkuar nga ligji.

Autoriteteve përgjegjëse të sigurojnë transparencë mbi numrin e personave të ndaluar dhe të arrestuar gjatë protestave, përfshirë të miturit, kushtet e mbajtjes së tyre dhe masat e marra për garantimin e të drejtave, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë

Organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta të shmangin çdo akt dhune, zjarrvënieje apo dëmtimi të pronës publike dhe private, të kontribuojnë në ruajtjen e karakterit paqësor të tubimeve dhe të tregojnë kujdes të veçantë për sigurinë e fëmijëve.

Autoriteteve ligjzbatuese u kërkohet të hetojnë aktet e dhunës dhe dëmtimit të institucioneve publike, përfshirë institucionet e drejtësisë, duke individualizuar përgjegjësinë dhe pa cenuar të drejtën e qytetarëve të tjerë për të protestuar paqësisht.

KShH rithekson se ruajtja e rendit publik nuk mund të justifikojë përdorimin e paligjshëm ose joproporcional të forcës dhe cenimin e dinjitetit njerëzor. Mbrojtja e jetës, integritetit fizik dhe të drejtave të fëmijëve përbën detyrim parësor të autoriteteve shtetërore.

Respektimi i të drejtave themelore në situata tensioni shoqëror është një provë e rëndësishme për funksionimin e shtetit të së drejtës. Detyrimi i institucioneve nuk kufizohet te ruajtja e rendit publik, por përfshin edhe parandalimin e abuzimeve, hetimin efektiv të shkeljeve dhe garantimin e llogaridhënies në çdo nivel.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit do të vijojë monitorimin e situatës dhe ndjekjen e reagimit institucional, duke kërkuar respektimin e të drejtave themelore, transparencë dhe llogaridhënie për çdo shkelje të mundshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit