

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas fjalimit të sotëm të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestat studentore, duke kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme dhe duke e bërë përgjegjës të drejtpërdrejtë për përshkallëzimin e situatës në vend.
Reagimi i kryedemokratit vjen pasi kreu i ekzekutivit e cilësoi atë si "matuf që flet tërë kohën për dhunë", akuza të cilat Berisha i riktheu mbrapsht duke mbrojtur revoltën e të rinjve në bulevard.
"Edi Rama jep dorëheqjen, çdo cak është kaluar, çdo vijë e kuqe është shkelur. Mor faqezi! Dhuna, është gjuha jote e urrejtjes që prej 13 vitesh ti dhe organizata jote kriminale keni hedhur vrer mbi shqiptarët dhe të rinjtë. I keni quajtur shqiptarët sorra, çyrykë, zdromsa, korba, të tredhur dhe së fundmi kokëboshë dhe të tjera që nuk më lejon etika t’i shqiptoj. Ndaj dhe ajo që po ndodh me studentët nuk është dhunë, është pasojë e dhunës 13-vjeçare të Edi Ramës.
Dhunë, është vjedhja e kafshatës së gojës të qytetarëve shqiptarë. Dhunë është vjedhja e ilaçeve të të sëmurëve në spitalet tona. Dhunë është vjedhja e ilaçeve të pensionistëve. Dhunë është të lësh pensionistët me pensionet më të ulëta në rajon dhe çmimet ndër më të lartat në Evropë.
Dhunë çnjerëzore është kur ato para të vjedhura kthehen në saraje të tuat të krimit me 9 mijë metër katror park, kthehen në 300 apartamente për Lubinë tënde", deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






