Transmetuar më 18-10-2026, 10:47

Një 30-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Dibër, pasi në taksinë që drejtonte janë gjetur dy armë zjarri dhe municion luftarak.

Operacioni policor i koduar “Taksia” u zhvillua nga Komisariati i Policisë Dibër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të DVP Dibër.

Në pranga përfundoi A. T., 30 vjeç, banues në Durrës.

Sipas Policisë, automjeti taksi u kontrollua në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Bllatës”. Në sediljen e pasme u gjetën një armë zjarri kallashnikov me 13 fishekë, si dhe një pistoletë me një fishek në fole dhe një tjetër në krehër.

Armët dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet e para hetimore, Policia dyshon se 30-vjeçari i kishte marrë armët në zonën e Tufinës, në Tiranë, dhe synonte t’i transportonte drejt Maqedonisë së Veriut nëpërmjet kufirit të gjelbër.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën dhe destinacionin e armëve, si dhe për të verifikuar nëse në aktivitet janë përfshirë persona të tjerë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit