

Kryeministri tha se largimi i një qeverie të zgjedhur nuk mund të bëhet përmes presionit të rrugës
Kryeministri Edi Rama i ka karakterizuar thirrjet e protestuesve për dorëheqjen e tij si retorikë politike pa kërkesa konkrete, duke i ftuar përfaqësuesit e tyre në dialog publik për të argumentuar qëndrimet e tyre.
Në deklaratën e gjatë të mëngjesit të sotëm nga zyra e tij në Kryeministri, Rama nënvizoi se kërkesat për largimin e tij duhet të përballen me argumente racionale dhe jo me thirrje radikale.
"Ju kam dëgjuar çdo ditë sepse keni ardhur poshtë dritares sime, ju kam dëgjuar ‘o në burg o në litar, burg, burg, jep dorëheqjen’. S’kam dëgjuar kërkesa. Keni ardhur aty 140 ditë dhe asnjëherë s’keni trokitur te dera të thoni me njerëzillëk, sy më sy, pse duhet të ikësh," u shpreh kreu i qeverisë.
Thirrje për dialog përkundrejt retorikës së sheshit
Kryeministri tha se vendi ndodhet në kuadrin e institucioneve demokratike të shekullit XXI dhe se largimi i një qeverie të zgjedhur nuk mund të bëhet përmes presionit të rrugës:
"Se me ‘burg, burg, burg’ si në ato sheshet e mesjetës, s’jemi më në shekullin XXI… Ti do që unë të iki, kjo është gjëja më normale në botë, por si do të iki unë? Të paktën hajde më bind pse duhet të iki unë, ose të bind unë pse s’duhet të iki."
Gjithashtu, Rama tha se ekzekutivi ka reflektuar mbi pretendimet e ngritura më parë dhe se e vërteta mbi proceset vendimmarrëse është e hapur dhe transparente online për të gjithë qytetarët.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






