Transmetuar më 18-10-2026, 08:53

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si “marrëzi të orkestruara” zërat e përhapura në rrjetet sociale lidhur me praninë e forcave të huaja të sigurisë gjatë menaxhimit të protestave në Tiranë.

Ai tha se këto janë teori konspirative, duke theksuar se synojnë relativizimin e dhunës ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit dhe nxitjen e përçarjes.

"Ata që nuk duan PS në pushtet janë të prirur ta relativizojnë dhunën dhe mendojnë se kjo punë zgjidhet me dhunë… Pse po përpiqen të krijojnë idenë që këtu kanë ardhur izraelitët, që këtu, siç thoshte një lajm i rremë i përhapur me shumë shpejtësi, zbresin çdo ditë 1 mijë izraelitë për të më mbështetur mua dhe për të rrahur e vrarë fëmijë? Kujt i intereson?" deklaroi Rama.

Rama foli për një grumbullim të radikalëve me prapavijë ideologjike e fetare, pas të cilëve sipas tij qëndrojnë figura të vjetra politike.

Këtu ai foli për "një neo-komunist tërësisht i lajthitur dhe një neo-ballist nga ana tjetër që nxit dhunë, që paguan për të bërë dhunë dhe që nuk ndalet. Pas ekstremeve politike qëndron matufi që mbart të keqen e mbrapshtë që e përndjek Shqipërinë prej 1912-ës, vijnë edhe ekstremistët e fesë në një vend që s’ka pasur dhe s’do të ketë kurrë probleme fetare."

Kreu i qeverisë hodhi poshtë dhe akuzat se në radhët e forcave të rendit ndodhen trupa serbe.

"Qershia mbi tortë janë ushtarët serbë që na paskan ardhur këtu dhe na qenkan nën uniformën e atyre burrave që i kanë pagat sot më të ulëta se të shumëkujt në këtë shtet, që marrin gurë me breshëri, që digjen si të ishin armiq të këtij vendi… Kjo është një marrëzi, por jo kolektive për fat të mirë, sepse këtë film ne e kemi parë. Këta s’kanë mend fare, janë komplet kokëbosh," përfundoi Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit