Transmetuar më 18-10-2026, 08:51

Kryeministri Edi Rama ka vijuar akuzat për ato që i quan faktorët e jashtëm dhe brendshëm që, sipas tij, po orkestrojnë trazirat e dhunshme në kryeqytet, duke deklaruar hapur se prapa elementëve të ekstremizuar fshihet "një dorë e huaj" me interesa gjeopolitike kundër Shqipërisë.

Në daljen e sotme, Rama u shpreh se vala e dhunës në Tiranë nuk është e shkëputur nga lëvizjet radikale që po tronditin qytete të tjera evropiane, por në Shqipëri ajo po përdoret për të sabotuar progresin e vendit.

"Ndërkohë që këtu në bulevard është një pjesë shumë e vogël e studentëve të ekstremizuar e të ideologjizuar… kjo flama jonë ka specifikën e vet. Është pjesë e një përpjekjeje të madhe për të bërë atë që i ka ndodhur këtij vendi sa herë ka pasur shansin në histori të ngrejë kokën… Aty brenda është edhe krimi. Është një dorë e huaj," tha Rama.

"Të miturit po përdoren si mburoja njerëzore për të bllokuar Policinë"

Kreu i ekzekutivit përsëriti keqardhjen e tij për rininë dhe studentët e mbledhur në shesh, duke theksuar se kërkesat e tyre për ndryshim janë të natyrshme, por se ata po shfrytëzohen si "pengje" nga krerët e maskuar të trazirave.

Për më tepër, ai denoncoi përdorimin e fëmijëve si mekanizëm për të pamundësuar ndërhyrjen e ligjit:

"Rinia po, është e frustruar, e inatosur, studentët po, duan ndryshim… por me keqardhje të madhe them që kjo rini e këta studentë janë pengje të atij ‘grupit të zjarrit’ në krye, të atyre me maska ku përdoren gjerësisht edhe të miturit. Të miturit përdoren si mburoja për të përparuar e për të marrë terren, duke ua bërë të pamundur policisë që të reagojë me forcë ndaj fëmijëve të vegjël," përfundoi kryeministri.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit