

Kryeministri Edi Rama tha sot se forcat e sigurisë kanë parandaluar një sulm me lëndë eksplozive sipas tij ndaj godinës së Kryeministrisë gjatë protestave të ditëve të fundit.
Sipas kreut të qeverisë, dy ditë më parë është zbuluar dhe neutralizuar në kohë një dron i ngarkuar me lëndë plasëse, i cili kishte për qëllim goditjen e oborrit të brendshëm të kompleksit qeveritar.
"Para 2 ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv i destinuar të godiste Kryeministrinë duke i vënë zjarrin oborrit të brendshëm ku është ngrehina e drurit dhe një Zot e di me çfarë pasojash," u shpreh Rama.
"Studentët po përdoren si mburojë nga grupi i zjarrit"
Rama insistoi se zhvillimet e dhunshme në rrugët e Tiranës tejkalojnë revoltën rinore, duke akuzuar organizatorët prapa skenës se po përdorin studentët e madje edhe të miturit si mburojë njerëzore gjatë përplasjeve me policinë.
"Rinia dhe studentët janë të frustruar dhe të inatosur, duan ndryshim dhe është në natyrën e qënies së tyre, por me keqardhje them se kjo rini dhe këta studentë që janë në bulevard janë pengje të ‘grupit të zjarrit’ në krye. Atyre me maska, ku përdoren gjerësisht edhe të miturit, si mburoja për të përparuar," deklaroi kryeministri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






