

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përshkallëzimit të dhunshëm të protestave në Tiranë, duke sjellë në vëmendje ngjarjet e "21 Janarit 2011" për të paralelizuar reagimin e forcave të rendit dhe situatën aktuale në bulevardin kryesor.
Kreu i qeverisë dënoi ashpër përdorimin e dhunës ndaj efektivëve të policisë, ndërsa theksoi se udhëzimi kryesor për trupat e sigurisë mbetet vetëpërmbajtja me qëllim shmangien e viktimave apo pasojave tragjike.
"Kërkohet gjak! Unë e di historinë e këtij bulevardi. I kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën më 21 janar, kur nuk u prek asnjë institucion, ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe ku u vranë me plumba 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, që ndryshe nga sot nuk shkuan dot as në spital sepse i priste druri dhe u mjekuan nga shtëpia," deklaroi Rama.
Ndërsa i cilësoi si kriminelë ata që përdorin gurë, zara hekuri e vidha kundër policisë, Rama nënvizoi se ruajtja e jetës së të rinjve është prioriteti kryesor i autoriteteve:
"Ata që qëllojnë me gurë, zara hekuri e vidha për t’i nxjerrë sytë policisë, janë kriminelë. Janë fëmijë shqiptarë dhe jeta e tyre vlen më shumë se çdo gjë tjetër. Vetëpërmbajtja është A dhe ZH," përfundoi kryeministri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






