

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) ka hartuar një projektligj të ri “Për sigurimin e depozitave”, i cili sjell ndryshime thelbësore në skemën e mbrojtjes së kursimeve bankare në Shqipëri, rritjen e plafonit të garancisë dhe ristrukturimin e primeve që paguajnë institucionet financiare.
Me hyrjen në fuqi të kuadrit të ri ligjor, tavanit të mbulimit të depozitave për çdo individ ose subjekt në një bankë të nivelit të dytë do t’i bëhet një rritje e ndjeshme, duke shkuar nga 2.5 milionë lekë që është aktualisht, në 6 milionë lekë.
Gjithashtu, projektligji parashikon se në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, niveli i mbulimit do të kapërcejë automatikisht në ekuivalentin në lekë të 100 mijë eurove, sipas përcaktimeve të Direktivës Europiane 49/2014.
Primet për bankat do të llogariten mbi bazë rreziku
Një tjetër reformë kyçe që sjell projektligji është ndryshimi i skemës së pagesave nga ana e bankave anëtare. Primi i sigurimit nuk do të jetë më uniform dhe i barabartë për të gjitha institucionet, por do të llogaritet mbi bazën e vlerësimit të rrezikut individual.
Në këtë mënyrë, bankat që marrin përsipër rrisk më të lartë në treg do të paguajnë prim më të shtrenjtë sigurimi, ndërsa ato me profil më të mirë likuiditeti dhe kapitali do të tarifohen me masa më të ulëta. Metodologjia e llogaritjes do të miratohet nga Banka e Shqipërisë me propozim të ASD-së.
Ndryshimet kryesore të projektligjit të ri:
Mbulimi i llogarive të përkohshme deri në 15 milionë lekë: Llogaritë me balancë të përkohshme që rrjedhin nga transaksionet e pasurive të paluajtshme për banim, përfitimet sociale (si trashëgimi, divorc, pension, largim nga puna), dëmshpërmblimet e sigurimeve apo vendimet gjyqësore do të sigurohen deri në 15 milionë lekë (ose 500 mijë euro pas anëtarësimit në BE), nëse ngjarja ka ndodhur brenda 6 muajve përpara bllokimit të bankës.
Heqja e përjashtimeve për drejtuesit: Ndryshe nga ligji ekzistues, me rregullat e reja do të sigurohen në të njëjtin nivel (deri 6 milionë lekë) edhe depozitat e administratorëve, drejtorëve dhe aksionerëve me mbi 5% të pjesëmarrjes në kapitalin e bankave.
Rritja e primeve për SHKK-të: Për Shoqëritë e Kursim-Kreditit (SHKK) niveli i mbulimit mbetet në 2 milionë lekë, por kontributi i tyre tremujor do të rritet nga 0.075% në 0.125% të mesatares së depozitave të siguruara.
Ndryshime në strukturën drejtuese: Projektligji heq kufizimin prej dy mandatesh për Drejtorin e Përgjithshëm të ASD-së, duke vendosur të njëjtin rregull si për anëtarët e tjerë të Këshillit Drejtues (mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje pa kufizim specifik). Gjithashtu, Drejtorit të Përgjithshëm i definohet një stacionim "cool-off" prej 1 viti ku i ndalohet punësimi në bankat anëtare pas mbylljes së detyrës, periudhë gjatë së cilës do të përfitojë pagën e plotë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






