Transmetuar më 17-10-2026, 23:40

Pas deklaratës zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, reagime me peshë politike kanë ardhur edhe nga Uashingtoni. Kongresmenët amerikanë Joe Wilson dhe Robert Aderholt kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për përshkallëzimin e trazirave në Shqipëri, duke u bërë thirrje autoriteteve të respektojnë shtetin e së drejtës, liritë demokratike dhe të drejtat e protestuesve paqësorë.

Përmes mesazheve të publikuara në rrjetin social X, dy anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara vunë theksin te rëndësia e llogaridhënies institudionale dhe te roli kyç që të rinjtë duhet të kenë në të ardhmen e vendit.

Kongresmeni Joe Wilson nënvizoi se Shqipëria, si një aleate e NATO-s, duhet të garantojë liritë demokratike dhe i bëri thirrje qeverisë shqiptare të përmbahet nga çdo formë dhune:

"Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe institucione që mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Rinia meriton një zë në të ardhmen e vendit të saj," deklaroi Wilson.

Nga ana e tij, kongresmeni Robert Aderholt kërkoi që të gjitha palët e përfshira të refuzojnë dhunën dhe që institucionet shtetërore të garantojnë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve:

"Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione të përgjegjshme dhe lirinë për të bërë të dëgjohet zëri i tij. Të gjitha palët duhet të refuzojnë dhunën dhe qeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë," u shpreh Aderholt.

Deklaratat e dy ligjvënësve amerikanë rikonfirmojnë vëmendjen e shtuar ndërkombëtare ndaj krizës politike dhe civile në Shqipëri, ndërsa vendi përgatitet për ditën e gjashtë të protestave.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit