

Ditën e shtunë, protestat studentore dhe popullore në kryeqytet kanë arritur pikën më të nxehtë të tensioneve, ku përplasjet e dhunshme mes demonstruesve dhe forcat të rendit janë zgjeruar në disa akse kryesore, përfshirë Rrugën e Durrësit dhe Bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Përballë hedhjes së vazhdueshme të gurëve dhe sendeve të forte nga ana e protestuesve, Policia e Shtetit ka ndërhyrë me autobotë me ujë, gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë turmën. Në një lëvizje të pazakontë për tubimet publike, trupat elitare RENEA kanë zbarkuar në terren duke krijuar një perimetër të fortë sigurie rreth godinës së Kryeministrisë.
Kryeministri Edi Rama ka zbritur vetë në terren gjatë orëve të mëngjesit për të monitoruar dëmet e shkaktuara në bizneset private në kryeqytet. Kreu i qeverisë deklaroi se të gjitha bizneset e dëmtuara do të mbështeten përmes aplikimit në platformën "Dëmi im" në e-Albania, ndërsa nënvizoi se ndonëse e drejta e protestës është e garantuar, personat me maska që shkatërrojnë pronën do të përballen me pasojat e ligjit.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) njoftoi se ka nisur verifikimin e pamjeve filmike për të analizuar çdo tejkalim të kompetencave apo shkelje ligjore nga ana e efektivëve të policisë gjatë ndërhyrjeve në terren.
Për sa i përket bilancit të arrestimeve dhe të dëmtuarve:
Arrestimet: Policia e Tiranës ka vënë në pranga 10 persona dhe ka proceduar 22 të tjerë për incidentet e ditës së premte pranë Ministrisë së Arsimit.
Të lënduarit te Trauma (Tiranë): 21 persona kanë marrë trajtim mjekësor, mes të cilëve 8 efektivë policie, 10 protestues dhe 3 kalimtarë. Sa i përket 21-vjeçarit të plagosur pranë Ministrisë së Arsimit, mjekët konfirmojnë se ai ndodhet nën monitorim dhe është jashtë rrezikut për paralizë apo ndërhyrje kirurgjikale.
Të lënduarit në rrethe: Në Spitalin Rajonal të Vlorës kanë marrë ndihmë mjekësore 3 persona (mes të cilëve një polic), ndërsa në Lezhë ka marrë mjekim një e mitur e cila më pas është lënë e lirë të largohet në banesë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






