

Edhe klerikët fetarë i janë bashkuar thirrjeve për reflektim e ulje të tensioneve përballë trazirave të dhunshme që kanë përfshirë kryeqytetin. Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine, ka publikuar një deklaratë zyrtare ku nënvizon se Shqipëria nuk meriton t’u rikthehet plagëve të rënda të së kaluarës.
Përmes mesazhit të tij, Arqipeshkvi dënon dhunën, por i bën thirrje autoriteteve shtetërore të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve, të hapin rrugën e dialogut dhe të marrin përgjegjësitë e duhura për të garantuar paqen shoqërore.
Më poshtë vijon mesazhi i plotë i Imzot Giovanni Peragine:
Mesazhi i plotë i Arqipeshkvit Giovanni Peragine:
"Protestat e këtyre ditëve dëshmojnë pa dyshim një pakënaqësi të thellë shoqërore, që nuk mund të shpërfillet. Për katër muaj, një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë protestuar në mënyrë paqësore kundër një sistemi që favorizon disa dhe penalizon shumë të tjerë, por zëri i tyre nuk ka gjetur dëgjimin dhe përgjigjet e duhura.
Kjo nuk e justifikon dhunën, e cila duhet dënuar qartë dhe pa asnjë rezervë, por nxjerr në pah përgjegjësinë e autoriteteve për të dëgjuar qytetarët, për të hapur rrugë dialogut dhe për të trajtuar me vendosmëri shkaqet e pakënaqësisë.
Vetëm përmes drejtësisë, barazisë dhe dialogut të sinqertë mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, ku askush të mos ndihet i përjashtuar dhe ku e mira e përbashkët të mbizotërojë mbi çdo interes personal. Përgjegjësia e autoriteteve nuk matet me deklarata, por me vendime konkrete. Asnjë interes privat nuk mund të vihet mbi të mirën e vendit dhe asnjë pushtet nuk mund ta zëvendësojë detyrimin për t’u dhënë përgjigje qytetarëve.
Kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, duke marrë me guxim edhe vendime të vështira, nëse këtë e kërkon e mira e vendit tonë. Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj."
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






