

Në vazhdën e reagimeve politike përballë përshkallëzimit të tensioneve në ditën e pestë të protestave, ish-ministri i Financave dhe eksponenti i njohur i Partisë Socialiste, Arben Malaj, u ka bërë thirrje anëtarëve dhe strukturave të PS-së për një reflektim të thellë e të menjëhershëm mbi modelin e qeverisjes në vend.
Përmes një apeli publik, Malaj e ka cilësuar largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe të eksponentëve kryesorë të lidhur me të si një kërkesë urgjente me karakter kombëtar, duke nënvizuar se veprimi politik duhet të nisë nga vetë brendësia e forcës politike në pushtet.
Më poshtë vijon teksti i plotë i reagimit të tij:
Apeli publik i Arben Malajt:
Një apel nga zemra për çdo socialist me ndërgjegje, dashuri dhe përgjegjësi kombëtare.
Ky është një apel për të gjithë ata socialistë brenda “Rilindjes” që ndiejnë ende përgjegjësi morale dhe kombëtare ndaj të ardhmes së vendit tonë.
Shqipëria nuk mund të vazhdojë më nën këtë mënyrë qeverisjeje, ku individë të caktuar kanë kriminalizuar jetën shoqërore, ekonominë dhe politikën.
Sot, shpëtimi i vendit nga kjo kapje nuk është thjesht një kërkesë politike, por një detyrim moral e kombëtar.
Dorëheqja e Edi Ramës dhe e eksponentëve kryesorë të lidhur me këtë model qeverisës është bërë sot një domosdoshmëri urgjente kombëtare!
Reagimi duhet të nisë së brendshmi, përpara se të jetë tepër vonë për të gjithë ne.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






