

Protestat e dhunshme, 167 të arrestuar dhe 132 policë të lënduar, Hita: Pezullohen 7 efektivë për tejkalim të detyrës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka bërë bilancin e pesë ditëve të protestave të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Hita, gjatë këtyre ditëve janë arrestuar 167 persona dhe janë proceduar penalisht 388 të tjerë, të dyshuar për përfshirje në akte dhune, dëmtim të pronës publike e private dhe sulme ndaj punonjësve të Policisë.
Kreu i Policisë së Shtetit bëri të ditur gjithashtu se 132 punonjës policie kanë mbetur të lënduar gjatë protestave, kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Lezhë. Disa prej tyre vijojnë të marrin trajtim mjekësor në spital.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me pezullimin nga detyra të 7 punonjësve të Policisë, ndaj të cilëve kanë nisur hetime disiplinore për tejkalim të kompetencave, mosrespektim të parimit të proporcionalitetit dhe mënyrën e trajtimit të një protestuesi.
Hita sqaroi se asnjë efektiv nuk ka marrë urdhër për të vepruar në kundërshtim me procedurat standarde të punës, ndërsa çdo rast i konstatimit të shkeljeve do të trajtohet sipas ligjit.
Sipas tij, gjatë tubimeve janë përdorur kundër forcave të rendit gurë, pllaka guri, sende metalike, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe mjete të tjera të rrezikshme.
Kreu i Policisë ngriti alarmin edhe për thirrjet që po qarkullojnë në rrjetin Telegram, ku, sipas informacioneve të siguruara gjatë hetimeve, persona të ndryshëm po nxisin sulme ndaj punonjësve të Policisë dhe përdorimin e mjeteve djegëse e plasëse.
Ai bëri të ditur se edhe gjatë paradites janë evidentuar mesazhe që u bëjnë thirrje protestuesve të maskuar të sigurojnë mjete për të sulmuar efektivët dhe për t’u vënë flakën automjeteve të Policisë.
Përballë kësaj situate, Policia e Shtetit ka intensifikuar veprimet për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar për përfshirje në veprime të paligjshme.
Deklarata e plotë, pa debatin e gazetarëve
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, konferencë për median
Përshëndetje!
Prej pesë ditësh, Policia e Shtetit po përballet me akte dhune gjatë tubimeve, ku persona të maskuar dhe të dhunshëm kanë sulmuar për orë të gjata punonjësit e Policisë dhe institucionet publike, si dhe kanë dëmtuar pronën publike dhe private.
Në mënyrë të vazhdueshme, Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protesta që të distancohen nga dhuna dhe personat e maskuar, si dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për tubim në mënyrë paqësore.
Njëkohësisht, u është kërkuar pjesëmarrësve në tubime të mos bëhen pjesë e veprimeve të personave që synojnë të nxisin dhunën dhe shkatërrimin.
Gjatë këtyre ditëve, strukturat e Policisë kanë kryer veprime hetimore dhe procedurale në disa qytete të vendit, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të përfshirë në akte dhune, shkatërrimin e pronës dhe sulmet ndaj punonjësve të Policisë.
Si rezultat i këtyre veprimeve, janë arrestuar 167 shtetas dhe janë proceduar penalisht 388 shtetas të tjerë.
Paralelisht, janë pezulluar nga detyra 7 punonjës policie dhe ndaj tyre ka nisur menjëherë hetimi disiplinor për tejkalim të detyrës, mosrespektim të parimit të proporcionalitetit dhe mënyrën e trajtimit të një protestuesi nga ana e punonjësve të Policisë. Dua t’i siguroj qytetarët se asnjë punonjës policie nuk ka marrë urdhër, në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, për të vepruar në kundërshtim me procedurat standarde të punës. Çdo rast i evidentuar i tejkalimit të kompetencave apo mosrespektimit të këtyre procedurave do të trajtohet sipas ligjit.
Punonjësit e Policisë janë instruktuar vazhdimisht që, në çdo rast ndërhyrjeje apo vetëmbrojtjeje ndaj sulmeve, të zbatojnë me rigorozitet procedurat standarde të punës dhe parimin e proporcionalitetit.
Gjatë tubimeve të dhunshme, ashtu si në vendet e Bashkimit Evropian, Policia e Shtetit përdor mjetet e përcaktuara nga legjislacioni dhe procedurat standarde të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për mbrojtjen e punonjësve të Policisë. Përdorimi i këtyre mjeteve bëhet në përputhje me kuadrin ligjor dhe në raport me shkallën e rrezikut.
Dua të theksoj se, gjatë ditëve të tubimeve, punonjësit e Policisë janë sulmuar me gurë, pllaka guri, sende metalike, zara metalikë të hedhur me llastikaë, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe sende të tjera.
Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të Policisë, kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Lezhë, janë dëmtuar 132 punonjës policie. Disa prej tyre vijojnë të marrin ndihmë mjekësore në spital.
Gjithashtu, dua të bëj me dije se në rrjetet sociale, kryesisht në grupe të hapura së fundmi në Telegram, po bëhen thirrje të vazhdueshme për ushtrimin e dhunës ndaj punonjësve të Policisë. Këto thirrje, sipas të dhënave që disponohen në kuadër të hetimeve penale, synojnë nxitjen e sulmeve me çdo mjet të mundshëm, përfshirë lëndë djegëse dhe plasëse.
Edhe gjatë paradites së sotme, në këto rrjete janë publikuar thirrje që protestuesit e maskuar të sigurojnë mjete të ndryshme për të sulmuar Policinë dhe për t’u vënë zjarrin automjeteve të saj. Përballë kësaj situate, në zbatim të ligjit dhe në përmbushje të detyrës, Policia e Shtetit ka marrë masat për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këto veprime, si dhe për t’iu përgjigjur çdo akti kriminal me forcën e ligjit, në mbrojtje të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe pronës publike e private.
Në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si dhe të mbrojtjes së jetës dhe pronës, u bëj thirrje personave që kryejnë këto akte dhune të ndalojnë menjëherë veprimet e tyre të paligjshme. Njëkohësisht, u bëj thirrje qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, të cilët nuk përfaqësojnë studentët dhe aspiratat e tyre.
Të nderuar qytetarë!
Policia e Shtetit nuk është, në asnjë rrethanë, kundër qytetarëve, medias, studentëve apo fëmijëve tanë. Përkundrazi, ajo është në mbështetje të së drejtës kushtetuese për të protestuar dhe për t’u tubuar në mënyrë paqësore.
U bëj thirrje prindërve dhe familjarëve që të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve të mitur në protesta ku ekziston rreziku i përshkallëzimit të dhunës. Fëmijët nuk duhet të ekspozohen ndaj rrezikut dhe as të përdoren si mburojë nga persona të dhunshëm e të maskuar. Siguria e tyre duhet të jetë mbi gjithçka.
Policia e Shtetit do të vijojë të zbatojë ligjin, të mbrojë jetën dhe pronën e qytetarëve, institucionet publike dhe të drejtën kushtetuese për tubim paqësor.
Siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe e pronës dhe zbatimi i ligjit mbeten detyrimet tona të panegociueshme.
Faleminderit!
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






