

Qytetarë mes të cilëve studentë dhe intelektualë të Vlorës janë mbledhur sërish këtë të shtunë në protestë kundër ndërtimit të muzeut hebraik, pavarësisht vendimit të gjykatës për pezullimin e punimeve.
Protestuesit kërkojnë që qeveria të mos mjaftohet me ndërprerjen e përkohshme të ndërhyrjeve, por të anulojnë plotësisht projektin që parashikon ndërtimin e muzeut pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria”.
Tubimi i sotëm është pjesë e një serie protestash që qytetarët kanë organizuar kundër këtij projekti. Pjesëmarrësit kanë paralajmëruar se do të vijojnë kundërshtimin e tyre përmes protestave të tjera.
Dje ishte edhe më e tensionuar protesta e studentëve në Vlorë, pasi të rinjtë kanë tentuar të prishin murin e projektit të Muzeut Hebraik.
Pas këtij veprimi, ka pasur përplasje mes policisë dhe grupit të studentëve, të cilët janë shtyrë dhe goditur me njëri-tjetrin.
Policia po tenton të komunikojë me grupin organizator të protestës, ndërsa po paralajmëron protestuesit për shoqërime në polici.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnjë ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë, duke vendosur pezullimin e punimeve për muzeun hebraik, në monumentin pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria” në Vlorë.
Lajmi është bërë i ditur nga përfaqësuesit e nismës për mbrojtjen e monumentit, të cilët, përmes një reagimi publik, bëjnë me dije se vendimi ka fuqi të menjëhershme dhe do të mbetet në fuqi deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes gjyqësore.
Sipas përfaqësuesve të nismës, kjo nuk është një betejë kundër askujt, por një përpjekje për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe për të garantuar respektimin e ligjit. Ata theksojnë se kujtesa e hebrenjve të Vlorës dhe kontributi i familjeve vlonjate që i strehuan dhe i mbrojtën gjatë Luftës së Dytë Botërore janë pjesë e rëndësishme e historisë së qytetit. Megjithatë, sipas tyre, vlerësimi i kësaj historie nuk duhet të bëhet në dëm të monumenteve të tjera.
Përfaqësuesit e nismës kanë falënderuar 1.034 qytetarët që kanë firmosur peticionin, si dhe personat që iu drejtuan gjykatës për të kundërshtuar ndërhyrjet pranë monumentit.
Ata bëjnë me dije se beteja ligjore do të vijojë, me synimin për të garantuar transparencën, ligjshmërinë dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit të Vlorës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






