

ATHINË — Një murg 58-vjeçar grek është zhdukur prej gati tre muajsh, pasi u nis drejt Turqisë për të vizituar trojet e të parëve të tij dhe për të jetuar si asket.
Familjarët e tij nuk kanë arritur të vendosin asnjë kontakt me të që prej datës 23 korrik, kur ai u largua nga vendbanimi i tij në Neos Mylotopos, në zonën e Giannicës në Greqi.
I zhdukuri është murgu i njohur si Jozef, i lindur me emrin Nikolaos Tsigozis, i cili kishte shprehur dëshirën për të vizituar rajonet historike të Pontit dhe Kapadokisë. Dyshimet e familjes për vendndodhjen e tij janë përqendruar te Stambolli dhe Trabzoni, pasi një biletë udhëtimi e gjetur në emrin e tij konfirmoi se ai ishte nisur me autobus drejt Turqisë.
Një tjetër pistë e hetimit lidhet me Konsullatën Greke në Stamboll, ku më 25 korrik është paraqitur një person që i ngjante murgut dhe ka kërkuar informacion për të udhëtuar drejt rajonit të Pontit, mirëpo identiteti i tij nuk është konfirmuar ende përfundimisht nga autoritetet.
Familjarët kanë njoftuar zyrtarisht organet ligjzbatuese, përfshirë Interpolin, dhe po vijojnë kërkimet me shpresën për të marrë një sinjal jete për 58-vjeçarin.
Lidhur me situatën e rëndë dhe pasigurinë me të cilën po përballen, pjestarët e familjes së murgut deklaruan:
"Duam të dimë… A është gjallë? A është mirë?"
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






