

Bizneset e vogla të prekura nga protestat mund të regjistrojnë online dëmet, ndërsa 10 grupe nga Tatimet do të bëjnë verifikimet në terren. Pas kontrollit të dokumentacionit, qeveria premton mbështetje financiare për subjektet e dëmtuara
Qeveria ka hapur një dritare të posaçme në portalin e-Albania për bizneset e vogla që janë dëmtuar gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se shërbimi quhet “Dëmi im” dhe do t’u mundësojë subjekteve të regjistrojnë dëmet e pësuara, në mënyrë që ato të verifikohen dhe të përfshihen në një regjistër të posaçëm.
Sipas shpjegimit të dhënë nga Rama, bizneset do të duhet të plotësojnë të dhënat identifikuese, përfshirë NIPT-in, të deklarojnë vlerësimin paraprak të dëmit dhe të ngarkojnë foto, video ose dokumentacion tjetër mbështetës.
“Dritarja quhet ‘Dëmi im’ dhe këtu mund të regjistroheni duke futur të dhënat, NIPT-in, parashikimin e dëmit dhe më pas dokumentet, pamjet dhe çdo dokumentacion tjetër”, tha Rama.
Përveç aplikimeve online, në terren do të dalin 10 grupe verifikimi nga administrata tatimore, të cilat do të mbledhin të dhëna dhe do të kontrollojnë dëmet e raportuara.
Pas përfundimit të verifikimeve, qeveria synon të krijojë një regjistër të plotë të dëmeve të shkaktuara ndaj bizneseve të vogla.
Rama deklaroi se subjektet e prekura do të marrin mbështetje financiare pas përfundimit të procedurave të verifikimit.
“Do të jemi bashkë me çdo familje që jeton me punë të ndershme në Tiranë dhe që ka humbur pasurinë”, tha ai.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






