

Kryeministri Edi Rama edhe sot u shfaq në mëngjes, ndërsa nuk dihet nëse do të ketë një ditë të pestë protestash, duke deklaruar se e drejta e qytetarëve për të protestuar duhet të garantohet, por duke vendosur një vijë ndarëse mes protestës dhe akteve të dhunshme.
Në një dalje publike nga ambientet e një biznesi të dëmtuar, Rama tha se zëri i studentëve, të rinjve dhe çdo qytetari që zgjedh të protestojë duhet të dëgjohet me respekt.
“Ne i respektojmë studentët, e çmoj forcën e ëndrrave dhe shpresave të tyre si motorin e të ardhmes, si shtysën e të gjithëve ne për të ecur përpara”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se e drejta për protestë duhet të mbrohet si një e drejtë themelore.
“Zëri i tyre, i të rinjve dhe i çdo qytetari që sot ka nevojë të protestojë duhet dhe do të dëgjohet me respekt. E drejta e tyre për të protestuar duhet dhe do të mbrohet”, tha Rama.
Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë deklaroi se nuk do të tolerohen veprime që, sipas tij, rrezikojnë rendin apo sigurinë.
“S’do të lejoj askënd dhe asgjë që të rrezikojë të ardhmen e këtij vendi”, deklaroi ai.
"Ne i respektojmë studentët, unë e çmoj forcën e ëndrrave dhe shpresave të tyre si motorin e të ardhmes, si shtysën e të gjithëve ne për të ecur me shpejt përpara. Zëri i tyre, zëri i të rinjve dhe i çdo qytetari që sot ka nevojë të protestojë duhet dhe do të dëgjohet me respekt.
E drejta e tyre për të protestuar duhet dhe do të mbrohet si një e drejtë për të cilën ne të gjithë kemi luftuar në kohë të ndryshme, por pikërisht se të rinjtë janë e ardhmja jonë, unë nuk do të lejoj askënd dhe asgjë ta rrezikojë të ardhmen e këtij vendi ku rriten ata dhe çdo fëmijë i Shqipërisë. As për përfitime politike të atyre duarve të paudha që janë rikthyer me tërbimin e djegies e shkatërrimit, as për qëllime të mbrapshta të duarve huaja që janë futur për të na ndalur, por as për ndonjë qëllim tjetër.
Përgjegjësia ime është më e qartë në këto orë të vështira se sa në çdo ditë të mirë; të mbrojë qytetarët tanë, të garantojë drejtësinë dhe ta çojë Shqipërinë përpara, së bashku me këtë shumicë qeverisëse që ka një mandat shumë të qartë: Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian".
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






