Transmetuar më 17-10-2026, 08:00

Pasuritë minerale të Shqipërisë, që prej dekadash janë parë kryesisht si lëndë e parë për eksport, po përballen me një perspektivë të re zhvillimi në kuadër të tranzicionit energjetik, revolucionit digjital dhe përpjekjeve të Bashkimit Europian për të siguruar zinxhirët e furnizimit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë 8-mujorit të vitit 2026, eksportet e mineraleve dhe metaleve arritën në 53,3 miliardë lekë, duke përbërë 21.6 për cent të totalit të eksporteve shqiptare. Me miratimin e Aktit Europian për Lëndët e Para Kritike, i cili përcakton 34 materiale strategjike, burimet shqiptare të bakrit, nikelit dhe prania e kobaltit në mineralet e hekur-nikelit hapin dritare të reja integrimi në industritë europiane të automjeteve elektrike, energjisë dhe teknologjisë.

Megjithatë, ekspertët e ekonomisë dhe drejtuesit e sektorit minerar theksojnë se sfida kryesore mbetet kalimi nga thjesht nxjerrja e mineralit te përpunimi i tij brenda vendit. Drejtori ekzekutiv i kompanisë minerare BERALB, Mehmet Uluyurt, nënvizoi se përveç rritjes së rendimentit e kontrollit të kostove, investimet në teknologji kërkimi, digjitalizimin e të dhënave gjeologjike dhe laboratorët metalurgjikë janë thelbësore për rritjen e vlerës së shtuar. Paralelisht, analisti i të dhënave Antonin Braho vuri në dukje se fragmentimi i ndërmarrjeve prodhuese kërkon ndërtimin e hallkave lidhëse mes sektorit nxjerrës dhe industrisë përpunuese, çka do të lejonte rritjen e produktivitetit dhe krijimin e pagave më të larta për punonjësit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit