Transmetuar më 16-10-2026, 22:51

Pak pas orës 22 sot në mbrëmje, njerëzit që ishin mbledhur para Kryeministrisë u shpërndanë duke u larguar nga të katër anët. Në fakt kështu kanë bërë dhe tri netët e tjera.

Para se të ndodhte kjo, për afro dy orë, pati një feeling mes dy palëve, protestuesve dhe policisë.

Ndërsa gjatë gjithë ditës, policët zbatuan strategjinë "fut e bjer" kush i dilte përpara, befas në darkë u bënë të urtë e të paqtë, aq sa nisën të qeshin e shkëmbejnë batuta me protestuesit.

Kulmi arriti kur një djalë i ri, u shfaq me një fëmijë motak në kraharor dhe u ngjit në shkallët e Kryeministrisë ku qëndroi për disa minuta duke ecur tutje-tëhu dhe folur pa megafon.

Më pas ai zbriti dhe u largua.

Por çfarë i parapriu kësaj skene?

Në pjesën e bulevardit para Kryeministrisë, noa.al folën disa të rinj. Ajo që kuptohej e thënë qartë prej tyre, ishte se ndjeheshin të lodhur, kishin nevojë për energji dhe pohuan se kishin pranuar të bënin një farë armëpushimi me policinë.

Ajo që ata nuk dinin, ishte se një grup njerëzish me maska, që sipas tyre nuk ishin shfaqur më parë, u afruan te policia dhe bënë një marrëveshje verbale mes tyre sipas të cilës protestuesit nuk do të qëllonin mbi policinë, por as policia nuk do të vepronte kundër tyre.

Për shkak të lodhjes gjithë ditën, por edhe 4 ditëve intensive, siç u shpreh një i ri, kjo gjë i voliti dhe vendosën ta pranojnë edhe pse siç theksuan, as që i kishin parë ndonjëherë këto ditë në protestë.

Ndërsa nisën të shpërndahen, një protestues që dukej se nuk kishte mbushur ende të njëzetat, foli me kthjelltësi për atë që kishte ndodhur 10 vjet para se të lindte ai: "Ne nuk duam ta djegim Tiranën, nuk duam ta shkatërrojmë si në 97-ën, nuk duam një 97 të dytë", tha djali që mund të ketë dëgjuar nga mosha më të mëdha apo të ketë lexuar diçka në internet për atë që ndodhi në Shqipëri më 1997, gati 30 vjet më parë.

Sado që ngurrimi për një 97 të dytë, ishte i prerë te disa syresh, te të tjerë, bindja se pa protestë agresive nuk mund të arrihet, lexohej qartë në atë që shprehën.

"Sonte jemi të lodhur, edhe këta, tregon policët pas tij, – janë dhe këta të rraskapitur. Kemi nevojë të pushojmë. Por synimi i protestës sonë është një dhe vetëm një, të ikë Edi Rama. Nuk jemi për protestë të qetë, jo, e provuan për 135 ditë dhe nuk funksionoi. Protesta duhet të jetë e dhunshme nëse duam të arrijmë largimin e Ramës. Nëse nuk është agresive, nuk ia dalim dot" u shpreh ai duke siguruar se nesër protesta do të rifillojë.

Edhe djem të tjerë, pak para se të mbyllej protesta e së premtes, përjashtuan se po bënin paqe, duke thënë se protesta nuk kishte mbaruar dhe se nesër, e shtunë, do të nisë dita e pestë.

Skenari i ditës së pestë, është i paqartë. Disa thonë se do të mblidhen sërish si çdo ditë, për të protestuar, por këtë herë drejt e në Kryeministri.

Disa të tjerë thanë se itinerari do të ishte i ngjashëm me të sotmen.

Të tjerë, thanë se fundjava nuk do t’i nxirrte më në protestë.

Në rrjetet sociale, sakaq nisën spekulimet. Shumë njerëz besojnë se e gjitha sot ishte një lojë, ose më saktë një strategji e kryeministrit, që mesa duket, funksionoi. Ata besojnë se Rama ua mori kalanë nga brenda, madje disa shkojnë më larg duke besuar se mund të jenë premtuar lëshime, për të cilat nuk ishin në gjendje të komentonin.

Pavarësisht të gjitha hipotezave, misteri mbetet i fortë, por do të duhen vetëm disa orë që të ravijëzohet.

Të shohim…

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit