

Studenti 22-vjeçar Klevi Metaj, i cili u bë i njohur në rrjetet sociale pas përplasjes me gjashtë punonjës policie gjatë protestës përpara Ministrisë së Arsimit, ka rrëfyer prapaskenat e ngjarjes nga shtrati i Spitalit të Traumës gjatë një interviste për emisionin investigativ "Fiks Fare".
Pavarësisht se Gjykata e Tiranës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë "arrest shtëpie", i riu vijon të mbahet me pranga në duar në ambientet e spitalit, ku ruhet nga dy punonjës të Policisë së Shtetit brenda dhomës. Metaj sqaroi se reagimi i tij ndaj efektivëve erdhi si pasojë e provokimeve të njëpasnjëshme dhe ndjekjes nga forcat e rendit, ku pas përdorimit të gazit lotsjellës dhe goditjeve që pësoi gjatë tentativës për t’u larguar, ai u acarua dhe u kundërpërgjigj me mjete rrethanore.
Gjithashtu, 22-vjeçari bëri me dije se Prokuroria e Tiranës ka ngritur ndaj tij një dosje me një mori akuzash të rënda, përfshirë goditjen për shkak të detyrës, shkatërrimin e pronës, prishjen e qetësisë publike, organizimin e grumbullimeve të paligjshme si dhe mbajtjen e armëve të ftohta, akuza për të cilat efektivët në dhomë i kanë bërë me dije se rrezikon deri në pesë vite burgim. Studenti kritikoi përshkallëzimin e dhunës nga të dyja palët dhe shprehu dyshime mbi prapaskenat politike të protestës, ndërsa vuri në dukje kontrastin e masave të rrepta të sigurisë ndaj tij përkundrejt figurave të akuzuara për korrupsion madhor.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






