Transmetuar më 16-10-2026, 18:33

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve, prindërve, rinisë dhe diasporës që të derdhen nesër në rrugët e Tiranës për t’u solidarizuar me protestën e studentëve dhe gjimnazistëve.

Përmes një deklarate publike, Berisha denoncoi me tonë të ashpra sjelljen e strukturave të Policisë së Shtetit përgjatë ditëve të fundit, duke i akuzuar efektivët për dhunë sistemitike, keqtrajtime dhe përdorim të mjeteve të dhunshme ndaj të miturve dhe të rinjve në kryeqytet. Sipas tij, masat e marra nga autoritetet në sheshe e komisariate përfaqësojnë një barbari të paprecedentë që nuk është parë në vend që prej viteve ’90.

Kreu i opozitës i bëri thirrje gjithashtu bisneseve dhe komunitetit që të mbështesin lëvizjen studentore, të cilën e cilësoi si një betejë epike për mbrojtjen e të ardhmes, dinjitetit dhe ëndrrës shqiptare përballë qeverisjes aktuale. Berisha nënvizoi se pjesëmarrja masive e qytetarëve nesër në Tiranë është e një rëndësie të jashtëzakonshme për të mbështetur të rinjtë që po përballen në rrugë me pushtetin.

DEKLARATA E PLOTË:

Mirëmbrëma!

Të dashur qytetarë dhe qytetare, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, u drejtohem sonte para së gjithash si prind, si gjysh, si qytetar, por edhe ish-president e ish-kryeministër i këtij vendi.

Të gjithë ju, prindërve, qytetarëve dhe qytetareve, të gjithë anëtarëve të diasporës tonë kudo që janë, të rinjve dhe të rejave në të katër anët e vendit, nesër është një ditë shumë e rëndësishme, tejet e veçantë. Që nga data 13 gjer sot, në rrugët dhe sheshet e Tiranës, narkobanditë me uniformë janë sjellë në mënyrën më shtazore me akte barbare ndaj studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës.

I kanë keqtrajtuar, torturuar, ndaluar dhe arrestuar me qindra e qindra prej tyre. Kanë mbushur komisariatet me të mitur, me vajza, me qytetarë dhe të moshave më të shtyra. Barbaritë e tyre mbi trupat e rrëzuar të të rinjve dhe studentëve, thyerja e kockave, çarja e kafkave me bombola gazi, me plumba gome, përdorimi i granatave të gazit dhe zhurmuese, përdorimi i tonelatave gaz të skaduar ariu, spraj ariu, shkopinjtë e gomës shoqëruar me shufra hekuri.

Tirana nuk ka njohur një barbari të tillë ndaj të rinjve shqiptarë as në vitet ’90. Nesër gjimnazistët dhe studentët e Tiranës kanë më shumë se kurrë nevojë për mbështetjen e çdo shqiptari në betejën e tyre epike. Në betejën e tyre të pamposhtur.

Nesër, mijëra e mijëra burra, gra, djem dhe vajza, nga mbarë Evropa vërshojnë drejt Tiranës. Ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, çdo prind, nënë, baba, ftoj të gjitha bizneset e vendit të solidarizohemi nesër në Tiranë me studentët, të cilët në këtë betejë epike po mbrojnë më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen e tyre në këtë vend, ëndrrën e tyre shqiptare nga një zjarrvënës, armik i egër i kombit.

Po mbrojnë dinjitetin e qytetarëve shqiptarë. Janë ngritur viganë kundër bandave të drogës në qeveri, narkoshtetit me pasojat e tij shkatërrimtare, kreut të këtij narkoshteti, Padrinos Edi Rama.

Solidariteti dhe mbështetja jonë për studentët është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Ora e historisë fton nesër çdo shqiptar në Tiranë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit