Transmetuar më 16-10-2026, 16:41

Ministri Ervin Demo ka reaguar pas publikimit të dy videove, ku shihet se si policët dhunojnë në mënyrë barbare protestuesit (në një video polici hedh për tokë dike që po rrinte me duar në xhepa, në një tjetër i thyejnë këmbën një protestuesi që po e mrrnin zvarrë).

Megjithatë, Demo justifikon policinë, duke thënë se për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private

Reagimi i Demos

Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme.

Falënderoj drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë.

Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.

Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit.

Profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Për këtë kam qenë dhe jam shumë i qartë dhe çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin.

Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës!

Edhe njëherë, dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe siguria dhe rendi publik do të garantohen!

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit