

Protestat në disa qytete, 152 të arrestuar dhe 324 të proceduar, Tirana me numrin më të lartë të procedimeve
Policia e Shtetit ka bërë publik bilancin e deritanishëm të arrestimeve dhe procedimeve penale pas protestave të ditëve të fundit në disa qytete të vendit.
Sipas të dhënave të bëra publike pak më parë nga drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, deri në këto momente janë arrestuar gjithsej 152 persona, ndërsa 324 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Numri më i lartë i rasteve është regjistruar në Tiranë, ku janë arrestuar 127 persona dhe janë proceduar 244 të tjerë.
Sipas Ziut, procedimet lidhen me akuza për dhunë ndaj efektivëve, dëmtim institucionesh, pronash publike e private, bankomatësh, kamerash, automjetesh dhe rrethimesh metalike.
Në Durrës janë arrestuar 23 persona dhe janë proceduar 12 të tjerë, ndërsa në Korçë janë arrestuar 2 persona dhe janë proceduar 23.
Në Vlorë janë proceduar penalisht 20 persona, në Shkodër 9, në Elbasan 6 dhe në Kukës 10.
Policia bën me dije se hetimet dhe verifikimet vazhdojnë, ndërsa grupe të posaçme hetimore po analizojnë pamje filmike dhe prova të tjera për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në incidente gjatë protestave.
Sipas Policisë, veprimet hetimore po kryhen në bashkëpunim me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






