

Bashkëshortja e politikanit të ndjerë Sokol Olldashi, njëherazi pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, iu është bashkuar studentëve në protestë. Ajo raportohet se ka pasur shqetësime pas përdorimit të gazit lotsjellës në zonën e Rrugës së Durrësit.
TIRANË – Enkeleda Olldashi, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë dhe bashkëshortja e politikanit të ndjerë Sokol Olldashi, raportohet se është lënduar gjatë protestës studentore në Tiranë, pas përdorimit të gazit lotsjellës nga efektivët e policisë.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në zonën e Rrugës së Durrësit, ku situata mes protestuesve dhe forcave të rendit është tensionuar. Sipas raportimeve, Olldashi ka shfaqur skuqje në fytyrë dhe në sy, simptoma që i atribuohen ekspozimit ndaj gazit lotsjellës.
Pavarësisht tensioneve, ajo ka vijuar të qëndrojë në krah të studentëve, duke shprehur mbështetjen e saj për protestën.
Një ditë më parë, gjatë një prononcimi për mediat, Enkeleda Olldashi kishte shprehur mbështetjen për revoltën studentore, duke theksuar se pakënaqësitë e tyre duhet të dëgjohen nga e gjithë klasa politike.
“Ne jemi kundër shkatërrimit, por kjo është një revoltë e akumuluar që veshët e të gjithë politikanëve, të të gjitha ngjyrave, duhet ta dëgjojnë”, ishte shprehur ajo.
Olldashi kishte nënvizuar gjithashtu se bojkoti është një zgjedhje e studentëve, e cila duhet respektuar nga pedagogët.
“Kur studentët nuk janë në auditor, ne duhet të jemi aty ku janë studentët dhe ne jemi aty”, ishte shprehur ajo.
Protesta studentore në kryeqytet vijon mes tensioneve, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë që shqetësimet dhe kërkesat e tyre të marrin përgjigje nga institucionet përgjegjëse.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






