

Policia paralajmëron valë tjetër arrestimesh, Ziu: Po kalojmë në sitë edhe rrjetet sociale, hetohen thirrjet për dhunë dhe akte terroriste
Policia e Shtetit ka bërë një bilanc të gjerë të veprimeve të ndërmarra pas protestave të ditëve të fundit, ndërsa paralajmëron se hetimet nuk janë kufizuar vetëm te personat e identifikuar në terren.
Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Dhimitraq Ziu, deklaroi se strukturat e Policisë, Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit po analizojnë edhe postimet, grupet dhe kanalet e komunikimit në rrjetet sociale.
Sipas tij, gjatë monitorimit janë evidentuar kanale ku dyshohet se janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje kriminale, përfshirë thirrje për akte ekstreme dhe terroriste, si edhe kërcënime ndaj jetës së punonjësve të policisë.
Për këto raste është regjistruar procedim penal, ndërsa Policia thotë se po bashkëpunon me agjenci partnere ndërkombëtare për të identifikuar adresat IP, administratorët e kanaleve dhe përdoruesit që dyshohet se kanë bërë thirrje për dhunë.
“Përdorimi i rrjeteve sociale nëpërmjet llogarive anonime nuk duhet dhe nuk do të lejohet t’i shërbejë rrymave apo shtetasve me prirje terroriste, ekstremiste dhe të dhunshme”, deklaroi Ziu.
152 të arrestuar, 324 të proceduar
Sipas bilancit të bërë publik nga Policia, deri tani janë arrestuar 152 persona dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 324 të tjerë në disa qarqe të vendit.
Vetëm në Tiranë janë arrestuar 127 persona dhe janë proceduar 244 të tjerë, për akuza që lidhen me dhunën ndaj punonjësve të policisë, dëmtimin e institucioneve, pronës publike e private, bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike.
Në Durrës janë arrestuar 23 persona dhe proceduar 12 të tjerë, ndërsa në Korçë janë arrestuar 2 persona dhe proceduar 23.
Në Vlorë janë proceduar 20 persona, në Shkodër 9, në Elbasan 6 dhe në Kukës 10.
Policia: 120 efektivë të dëmtuar
Ziu deklaroi gjithashtu se nga përplasjet gjatë protestave janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës.
Në Shkodër, sipas Policisë, një oficer i Rendit është plagosur rëndë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë. Policia thotë se autori i dyshuar është identifikuar, por nuk është arrestuar për shkak të moshës.
Strukturat policore dhe prokuroritë përkatëse kanë ngritur grupe të posaçme hetimore për të analizuar pamjet filmike dhe provat materiale të mbledhura nga protestat.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






