Transmetuar më 16-10-2026, 14:47

Atentati me tritol në mes të Gjirokastrës ishte vrasje e paramenduar dhe e planifikuar ku janë përfshirë shumë njerëz dhe ku katër dalin sot me emra, ndërsa të cilët dy janë në arrati dhe dy janë arrestuar orët e fundit.

Policia e Gjirokastrës doli sot para medias për të dhënë rezultatet e një punë intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 10.10.2026 në bulevardin “18 shtatori”, Gjrokastër, ku humbi jetën një shtetas dhe nje tjetër u plagos.

Çfarë ndodhi më 10 tetor 2026

Më datë 10.10.2026 rreth orës 22:00 në bulevardin “18 shtatori”, përballë Prokurorisë Gjirokastër, një automjet tip “Benz”, ka shpërthyer me lëndë plasëse, në lëvizje, ku ka humbur kontollin dhe është përplasur me trafikndarsen e rrugës.

Si pasojë këtij shpërthimit ka humbur jetën drejtuesi i automjetit shtetasi Beqir Devolli, 48 vjeç, banues në Gjirokastër dhe ka mbetur i plagosur pasagjeri Erigels Mela, 26 vjeç, banues në Gjirokastër.

Çfarë zbuloi hetimi

Për të hetuar dhe zbardhur rrethanat e ngjarjes u ngrit një grup i posaçëm hetimor nga strukturat e hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë.

Grupi i posaçëm hetimor kreu një sërë veprimesh hetimore dhe proceduriale në vendin e ngjarjes.

Nga verifikimet paraprake, rezultoi se në brendësi të automjetit të Beqir Devollit, konkretisht nën sediljen e shoferit ishte vendosur një sasi lëndë plasëse.

Për sqarimin e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve u shoqëruan, u dhe pyetën për rrethanat e hetimit 18 persona.

U kryen intervista, verifikime, kontrolle, eskpertime, u bë eksperiment hetimor dhe të gjitha veprimet e tjera për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore ngjarjen.

Nga hetimet intensive me metoda speciale të hetimit, inteligjenca policore, deklarimet e ndryshme dhe ekzaminimet biologjike të provave u arrit të dokumentohet me prova ligjore autorësia e kësaj ngjarje të rëndë.

Në bazë të rezultateve të deritanishme të hetimit, në kuandër të Operacionit Policor “GJURMA”u kapen dhe ndaluan si persona të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje shtetasit:

1. Behar Zyberi alais Behar Heqimaj, 64 vjeç, banues në Fier, i dënuar disa herë për disa vepra dhe në kuadër të grupit kriminal.

2. Shpëtim Malasi, 42 vjeç, banues në Patos.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim 2 shtetas, të cilët pas ngjarjes janë larguar jashtë vendit, konkretisht:

1. Gentjan Zhupa, 38 vjeç, banues në Tepelenë, me precedent kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike jashtë vendit.

2. Kliton Omeri, alias Kliton Nanushi, 44 vjeç, banues në Tiranë, me precedent kriminal në krimet kundër personit dhe krimit të organizuar ne drejtim të trafikimit të narkotikëve dhe qënieve njerzore.

Sipas të dhënave të administruara në kuadër të hetimit, këta shtetas dyshohet se kanë pasur role të ndryshme dhe kanë organizuar vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjet me qëllim vrasjen e shtetasit Beqir Devolli, dyshuar për shkak të prishjeve të pazareve në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në shtetet evropiane.

Nga provat e siguruara rezulton se autorët e krimit janë këta 4 shtetas, si dhe persona të tjera të identifikuar nga ana jonë, por për shkak të sekretit hetimor nuk mund të bëhen të ditura më shumë detaje.

Në kuadër të veprimeve hetimore, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

* Një motomjet pa targa, i cili dyshohet se është përdorur në kuadër të veprimtarisë kriminale për vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e viktimës;

* Dy automjete dhe tre aparate celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse;

* Një shumë prej 2 500 eurosh;

* Një shumë prej rreth 130 000 lekësh.

Ndalimi i këtyre shtetasve u krye për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 dhe 25 i Kodit Penal.

Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë është punuar intensivisht nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, duke bashkëpunuar me strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë Vlorë, Fier dhe Komisariatin e Policisë Nr.6 Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit