Transmetuar më 16-10-2026, 13:55

TIRANË — Ish-ministrja e Mbrojtjes dhe e Jashtme, Olta Xhaçka, është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve ku është i përfshirë edhe bashkëshorti i saj, biznesmeni dhe ish-deputeti socialist Artan Gaçi.

SPAK i ka komunikuar zyrtarisht Xhaçkës statusin e personit nën hetim për veprat penale të "korrupsionit" dhe "pastrimit të produkteve të veprës penale". Hetimet e deritanishme kanë nxjerrë në dritë të dhëna që e implikojnë ish-ministren në afera korruptive dhe transaksione të kryera përmes kompanive të bashkëshortit të saj.

Sipas të dhënave, Xhaçka u paraqit në ambientet e SPAK pak minuta pasi nga godina e xhamtë doli bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, i cili po ashtu po hetohet për të njëjtat akuza. Gaçi mban statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti turistik mbi një sipërfaqe toke që rezulton e përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve.

Çështja që ka vënë në qendër të vëmendjes çiftin lidhet me një sipërfaqe toke në Gjilekë të Himarës, ku ishte parashikuar ndërtimi i resortit turistik "Dreamades Luxury Suites". Në vitin 2021, kompania "AG.TCC" në pronësi të Gaçit përfitoi statusin e investitorit strategjik për projektin me vlerë rreth 5.5 milionë euro, si dhe të drejtën e përdorimit të bregdetit për 30 vjet.

Hetimet e SPAK u mbështetën mbi kallëzimin penal të bërë nga Fredi Beleri, ku përfshiheshin Artan Gaçi, Olta Xhaçka dhe ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, lidhur me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 5.512 metrash katrorë në Gjilekë përmes dokumentacionit të falsifikuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit