

TIRANË — Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama se po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë social e politik, ndërsa denoncoi rritjen e nivelit të dhunës policore ndaj studentëve dhe protestuesve në mbarë vendin.
Berisha deklaroi se revolta rinore është shtrirë në të gjithë jugun e vendit, përfshirë Korçën e Vlorën, ku nxënësit kanë hyrë në grevë dhe bojkot në solidarizim me lëvizjen studentore. Sipas tij, reagimi i autoriteteve ka qenë përdorimi i terrorit dhe shoqërimi i mbi 150 qytetarëve.
Në fjalën e tij për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi:
"Sot nga Korça, Vlora dhe mbarë jugu, nxënësit janë në greva, në solidarizim me rininë studentore, revoltën e tyre. Ndërkohë regjimi i Padrinos ka shumëfishuar dhunën dhe terrorin kundër studentëve dhe protestuesve në Tiranë. Janë mbi 150 të ndaluar nga narkobanditët me uniformë, qytetarë pa asnjë lidhje me ndonjë akt të veçantë të paligjshëm. Edi Rama në skenarin e mbylljes së universitetit dërgoi mbrëmë narkobandat e tij policë me mjete policie dhe automjete policie për të thyer xhamat, terrorizuar dhe hedhur spraj ndaj vajzave në konviktet e studenteve, akte këto tipike të diktaturave të bandës.
Në fjalën e tij, ai shtoi revoltën tek mbarë shqiptarët. Deklaroi në mënyrën më të papërgjegjshme se nuk jep dorëheqje. Në këtë mënyrë ai po e çon vendin drejt një konflikti të gjerë. Në spitalet e vendit po mjekohen protestues me kafkë të shpuar nga plumbi në ballë, i gomës mundet, atë që ka treguar skaneri, tregon vrimën në pjesën ballore të vajzës së goditur. Të tjerëve u janë krijuar plagë të rënda, hematoma të mëdha në kokë, në trup. Dhoma në lokale të paidentifikuar, janë të filmuar ku janë hedhur me dhjetëra studentë të dërrmuar, të goditur dhe të lënë përtokë."
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






