Transmetuar më 16-10-2026, 11:05

Dhunë dhe dëme gjatë protestës në Korçë, 2 të arrestuar dhe 23 të proceduar, mes tyre 15 të mitur

Dy persona janë arrestuar dhe 23 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Korçë, e cila u shoqërua me përplasje, dëmtime të institucioneve publike dhe kundërshtim të forcave të rendit.

Sipas Policisë, gjatë tubimit dhjetëra pjesëmarrës, disa prej tyre të maskuar, kanë hedhur gurë, pllaka guri dhe sende të forta metalike drejt institucioneve shtetërore dhe pronave publike.

Nga incidentet janë dëmtuar godina e Bashkisë Korçë, Drejtoria Arsimore, universiteti “Fan S. Noli” dhe gjimnazi “Raqi Qirinxhi”. Policia raporton gjithashtu dëmtime në kangjella trotuarësh, tabela reklamash dhe sinjalistikë rrugore.

Forcat e rendit që ishin në shërbim gjatë tubimit, sipas njoftimit zyrtar, janë përballur me hedhje gurësh dhe sende të forta nga grupe protestuesish të maskuar.

Pas veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Korçës, janë arrestuar në flagrancë F. L., 21 vjeç, banues në Voskop, dhe O. K., 19 vjeç, banues në Bilisht.

Po ashtu, janë proceduar penalisht 23 persona të tjerë, prej të cilëve 15 janë të mitur.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht ngjarjet e 15 tetorit dhe për të identifikuar persona të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në akte dhune ndaj policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit