

Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi në fokus të SPAK, hetime për korrupsion dhe pastrim parash, në dosje transferta dhe të dhëna bankare

Hetimi i SPAK po shqyrton dyshime për pastrim parash dhe korrupsion, ndërsa në dosje raportohen transaksione financiare, komunikime dhe materiale të ardhura nga jashtë vendit. Olta Xhaçka u paraqit në SPAK dy ditë më parë, ndërsa Artan Gaçi është thirrur si person nën hetim
Tiranë – Ish-ministrja e Jashtme dhe e Mbrojtjes, njëherësh deputete e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, është përfshirë në një hetim të SPAK që lidhet me dyshime për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Xhaçka u paraqit më 14 tetor në Prokurorinë e Posaçme, vetëm pak pasi nga ambientet e SPAK ishte larguar bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi. Ky i fundit ishte paraqitur edhe më herët në SPAK dhe avokati i tij kishte konfirmuar se ishte thirrur në cilësinë e personit nën hetim.
Në qendër të procedimit janë dyshimet për pastrim të produkteve të veprës penale, ndërsa raportime të tjera flasin edhe për hetim lidhur me korrupsionin. Sipas të dhënave të publikuara deri tani, hetuesit po verifikojnë lëvizje financiare, transaksione bankare dhe komunikime telefonike të administruara gjatë hetimeve.
Hetimi lidhet edhe me materiale të mbërritura nga jashtë Shqipërisë dhe me të dhëna që kanë dalë gjatë procedimeve të tjera. Një prej pistave të raportuara lidhet me transferta monetare në disa shtete dhe me aktivitetin e kompanive që kanë pasur lidhje me Gaçin.
SPAK ka administruar dokumentacion dhe të dhëna financiare, ndërsa janë verifikuar edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni mbi transaksionet ose marrëdhëniet e biznesit në shqyrtim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






