

PRISHTINË — Ndërprerjet e mëdha të shërbimeve digjitale pas sulmeve fizike ndaj qendrave të të dhënave të gjigantit rus "Yandex" kanë ngritur supozime dhe shqetësime mbi shkallën e përgatitjes së institucioneve të Kosovës për përballimin e incidenteve të ngjashme.
Sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike dhe ish-drejtuesve të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), Kosova përballet me rreziqe serioze për shkak të mungesës së një Qendre për Rikuperim nga Fatkeqësitë (DRC) të standardizuar dhe të testuar.
Shumica e të dhënave shtetërore ruhen në Qendrën e të Dhënave Shtetërore, e cila mundëson edhe funksionimin e platformës "e-Kosova". Megjithatë, raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) konstatoi se ASHI nuk ishte e përgatitur për rikthimin e shërbimeve elektronike në raste emergjente, duke evidentuar mungesë të planeve të dokumentuara dhe politika të vjetruara sigurie.
Lidhur me këtë situatë, ish-drejtori i ASHI-së, Kujtim Gashi, u shpreh se pa një DRC të standardizuar, rikthimi i shërbimeve pas një incidenti serioz mbetet i pasigurt.
Nga ana tjetër, ndërsa Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike ka paralajmëruar kalimin drejt teknologjisë cloud dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, eksperti i sigurisë kibernetike, Atdhe Lila, thekson se modernizimi duhet të shoqërohet me mbrojtje reale. Sipas tij, nuk mjafton që të kemi ligje, strategji dhe politika të sigurisë vetëm në letër.
Rasti i sulmeve ndaj infrastrukturës së të dhënave jashtë vendit dëshmon se përqendrimi i shërbimeve në sisteme digjitale kërkon garantimin e menjëhershëm të kopjeve rezervë dhe aftësi rikuperimi operative.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






