

TIRANË — Përplasjet e dhunshme gjatë ditës së tretë të protestave në kryeqytet kanë lënë të plagosur dhjetëra persona, të cilët janë dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale konfirmoi se pranë Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur gjithsej 40 persona të lënduar. Mes tyre, mjekët kanë trajtuar 14 protestues, përfshirë katër të mitur që morën kujdes mjekësor në prani të psikologut klinik, si dhe 26 efektivë të Policisë së Shtetit, ku dy prej tyre vijojnë trajtimin spitalor.
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, vizitoi nga afër të plagosurit në Spitalin e Traumës për t’u njohur me gjendjen e tyre shëndetësore.
Deklarata zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale:
*"Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, vizitoi pak minuta më parë të lënduarit gjatë protestës së sotme, të cilët po marrin trajtim në Spitalin Universitar të Traumës.
Ministrja u informua mbi gjendjen e tyre shëndetësore, përfshirë atë të efektivit të Policisë, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale të suksesshme dhe do të vijojë trajtimin nën kujdesin intensiv.
Ndërsa protestuesja E.P. paraqitet aktualisht në parametra shëndetësorë të qëndrueshëm dhe po ndiqet në dinamikë nga ekipi mjekësor.
Gjatë protestës së sotme, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur gjithsej 40 persona të lënduar, të cilët kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Ekipi mjekësor multidisiplinor ka trajtuar 14 protestues. Katër të mitur kanë marrë trajtimin e nevojshëm në prani të psikologut klinik.
Nga 26 efektivët e Policisë të paraqitur dhe trajtuar në SUT, dy prej tyre vijojnë të qëndrojnë në spital.
Spitali Universitar i Traumës vijon të jetë i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor për çdo person të lënduar, me profesionalizëm dhe përkushtim.
SUT mbetet në krye të detyrës, në shërbim të çdo qytetari."*
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






