

Cikli i ndeshjeve të Abissnet Superiores do të vijojë këtë fundjavë me sfidat e javës së 7-të, të cilat do të shtrihen në një kalendar prej tri ditësh, nga e premtja deri të diela, duke rezervuar përballje të rëndësishme si për zonën e sipërme të renditjes ashtu edhe për mbijetesën.
Java e re do të hapet mbrëmjen e kësaj të premteje, në orën 18:30, me duelin mes Dinamos dhe Teutës, i cili do të zhvillohet në stadiumin "Elbasan Arena". Të dyja skuadrat kërkojnë konfirmimin e ambicieve të tyre në këtë edicion të kampionatit.
Të shtunën, vëmendja do të zhvendoset te dy ndeshje të tjera. Në orën 13:30, Tirana do të presë Laçin në stadiumin e Vorës, ndërsa në orën 16:00, Skënderbeu do të përballet në Korçë me AF Elbasanin, në një takim ku pikët kanë vlerë të madhe për ecurinë e të dy ekipeve.
Përballjet do të vijojnë edhe të dielën. Vora do të presë Partizanin në stadiumin e saj në orën 13:30, ku të kuqtë kërkojnë kthesën pas rezultateve jo të dëshiruara në javët e kaluara, ndërsa vendasit do të synojnë të përfitojnë nga fusha e tyre. Java e shtatë do të mbyllet me supersfidën mes Egnatias dhe Vllaznisë, e programuar për në orën 18:30 në "Arena Egnatia", një duel i fortë mes rrogozhinasve që synojnë kreun dhe shkodranëve që kërkojnë rezultatin pozitiv.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






