

Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht pas publikimit të disa videove dhe deklaratave në rrjetet sociale lidhur me veprimet e uniformave blu gjatë protestës, duke sqaruar rrethanat e shoqërimit të protestuesve, sekuestrimin e mjeteve metalike si dhe duke përgënjeshtruar pretendimet për praninë e efektivëve të huaj.
Në njoftimin zyrtar, Policia sqaron se personat e shfaqur në pamjet filmike nuk ndodheshin në dhomat e shoqërimit apo në bllokun e sigurisë së komisariateve, por janë filmuar gjatë momentit të neutralizimit nga efektivët brenda një institucioni shtetëror ku kishin hyrë, përpara se të transportoheshin drejt komisariatit.
Lidhur me pamjet ku pretendohej se civilë kishin shoqëruar me forcë një shtetase, Policia bëri me dije se bëhet fjalë për punonjës të Policisë Kriminale që kanë shoqëruar një mashkull, i cili dyshohet se drejtonte tubuesit dhe godiste efektivët e institucionet me zare metalikë. Po ashtu, uniformat blu sqaruan se kavot metalike të shfaqura në media nuk u përkasin efektivëve, por u janë sekuestruar paraditen e sotme katër të rinjve të maskuar që po i drejtoheshin protestës.
Në përmbyllje të reagimit, Policia e Tiranës hodhi poshtë me forcë pretendimet për praninë e policëve serbë gjatë mbulimit të protestës, duke nënvizuar se në radhët e Policisë së Shtetit nuk ka punonjës të huaj dhe se në të gjitha masat e sigurisë janë angazhuar ekskluzivisht efektivë shqiptarë sipas planit të miratuar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






