

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" me gazetarin Ylli Rakipi, protestuesi Erald Noj ka deklaruar se pjesëmarrja e tij në protestë buron nga shqetësimi për të ardhmen e familjes dhe cenimi i sovranitetit të vendit, ndërsa u shpreh i prerë kundër të gjithë klasës politike në Shqipëri.
Gjatë bisedës, Noj mohoi çdo lidhje partiake apo anëtarësim në forcat politike, duke theksuar se ndonëse e konsideron veten demokrat në shpirt, nuk e gjen veten te Partia Demokratike dhe ka refuzuar oferta edhe nga Partia Socialiste. Ai kritikoi ashpër të dyja palët për menaxhimin e pasurive të vendit dhe promovimin e krimit gjatë dekadave të fundit.
Lidhur me qëllimin e lëvizjes qytetare, ai u shpreh se protestuesit janë të gatshëm të shkojnë deri në sakrificën supreme për të larguar kryeministrin Edi Rama, duke hedhur poshtë pretendimet se janë të armatosur dhe duke nënvizuar se mbështetja e tyre bazohet te vendosmëria shpirtërore.
Në fund, Noj nënvizoi se edhe Partia Demokratike duhet të hapë rrugën dhe të lejoje ripërtëritjen, duke kritikuar mungesën e hapësirës për figura të reja pas tre dekadash në skenën politike.
Pjesë nga biseda:
Erald Noj: Jam në protestë as për flamingot dhe as për Zvërnecin, por për Republikën e Shqipërisë, është cënuar integriteti he sovraniteti i Shqipërisë, familja shqiptare, prona. Kisha dëshirë të isha në studio në fakt. Situata në Shqipëri është kaotike, e dini më mirë se unë, po bëhet luftë e fuqive të huaja. Kam lutur zotin dhe kam marrë pjesë me besimin, sepse Shqipëria ka patur shumë fatkeqësi në 100 vite të fundit.
Ylli Rakipi: Jeni njeri i shpallur i Partisë Demokratike. Sa është prezente kjo protestë?
Erald Noj: Jo, e urrej dhe e neveris klasën politike. Të gjtiha partitë politike nuk janë shqiptare. PD është më e mirë se PS, kanë vjedh aq sa kanë ditur. Vjedhjet që janë bërë në pasurinë e shqiptarëve janë galopante, kalojnë 100 mld euro. Prandaj e them publiksiht jam pa parti, s’kam qenë kurrë anëtar partie. Nuk jam me asnjë parti. PS më është afruar, e kam refuzuar. Me PD nuk e gjej veten. Jam demokrat në shpirt.
Ylli Rakipi: Maskën pse e përdor në protestë?
Erald Noj: Është hedhur gaz. Vetëm maskë gazi kam përdorur.
Ylli Rakipi: Kërkoni dorëheqjen e Edi Ramës. Deri ku jeni të gatshëm të shkoni për të arritur këtë qëllim?
Erald Noj: Deri aty ku nuk ka më. Jemi gati të japim jetën. Nuk kemi kallash, siç ka thënë një media sot, jemi pa kallash, e kemi fuqinë në shpirt, nuk jemi të shitur.
Ylli Rakipi: Pra ose Edi Rama ose ju.
Erald Noj: Unë jam për katër kalamajt e mi. Kjo qeveri plehrë, me gjithë atë qeveri tjetër plehrë, kanë promovuar krimin. Madje PD e solli e para. Të gjitha partitë politike janë anti-shqiptare sepse shihet produkti. PD ka 35 vjet parti, 3 produkte ka, ka Argita Berishën, Jamarbër Malltezin dhe Lul Basha, kur Shqipëria ka djem dhe vajza yll bote.
Ylli Rakipi: Doktori thuaji i pari.
Erald Noj: Ja kam thënë personalisht duhet të hapësh krahun.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






