

Protesta e studentëve dhe e gjimnazistëve ka hyrë në ditën e saj të tretë duke u përshkallëzuar me përplasje të dhunshme, përdorim të gazit lotsjellës dhe shtrirje të trazirave në disa qytete kryesore të vendit. Situata e rënduar e sigurisë ka detyruar anulimin e seancës plenare të Kuvendit të planifikuar për mëngjesin e sotëm, ndërsa godina parlamentare u rrethua nga forca të shumta policie.
Në kryeqytet, protestuesit u grumbulluan pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kuvendit, ndërsa në Rrugën e Durrësit ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës detyroi të rinjtë të tërhiqen drejt sheshit "Skënderbej". Bojkoti i mësimit u pasua nga nxënësit e gjimnazit "Petro Nini Luarasi" dhe shkollave në Kamëz. Vala e revoltës u shtri edhe në Korçë, ku u bllokua bulevardi kryesor dhe u sulmua me sende të forta e kapsolla Drejtoria Arsimore dhe Bashkia, si dhe në Shkodër, ku studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja bojkotuan mësimin në shenjë solidariteti.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, nga përplasjet e ditës së djeshme kanë marrë mjekim 89 persona, mes të cilëve 61 efektivë policie dhe 18 protestues në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe 10 pacientë në QSUT. Në Spitalin e Traumës vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor katër policë dhe dy protestues.
Nga ambientet e dëmtuara të Kolegjit të Europës, Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë duke akuzuar opozitën se po përdor aktet e dhunës për të penguar rrugëtimin europian të vendit, ndërsa u shpreh i hapur për dialog me studentët dhe paralajmëroi përgjegjësi ligjore për dëmtuesit e pronës. Në përgjigje, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë, krijimin e një kabineti kujdestar, shpërndarjen e parlamentit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Reagime ka patur edhe nga komuniteti ndërkombëtar, ku Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri dënoi përshkallëzimin e dhunës dhe bëri thirrje për dialog konstruktiv. Ndërkohë, për shkak të situatës së pasigurt në kryeqytet, UEFA vendosi zhvendosjen e ndeshjes së Conference League mes Egnatias dhe Midtjylland nga Tirana drejt stadiumit "Elbasan Arena".
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






