Transmetuar më 15-10-2026, 22:14

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka shprehur për herë të parë gjatë kësaj vale protestash gatishmërinë për të ofruar një hapësirë dialogu mes palëve, në një moment kur Shqipëria po përballet me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve këtë të enjte pasdite, kreu i shtetit nuk është mjaftuar vetëm me thirrjet për qetësi dhe ndalimin e dhunës, por ka ofruar edhe institucionin që drejton si një hapësirë për dialog dhe mirëkuptim.

“Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi, sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë”, deklaroi Begaj.

Qëndrimi i Presidentit vjen pas dy ditësh protestash dhe përplasjesh të dhunshme, që kanë thelluar tensionet në vend.

Begaj thotë se kërkesat e qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, duhet të dëgjohen, duke e vendosur dialogun si rrugën për të kapërcyer situatën.

“Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë”, shprehet ai.

Kreu i shtetit ka dënuar gjithashtu aktet e dhunës, duke paralajmëruar se ato cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe thellojnë përçarjen në shoqëri.

“Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike”, thekson Presidenti.

Në mesazhin e tij, Begaj u ka kërkuar të gjitha palëve maturi dhe përgjegjshmëri, duke bërë thirrje që tensionet të mos cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit.

Oferta e Presidentit për dialog është një zhvillim i ri në përpjekjet për të ulur tensionet. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse aktorët e përfshirë në protestat e ditëve të fundit do t’i përgjigjen thirrjes së tij. /noa.al

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit