

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka dalë në mbështetje të thirrjes së Presidentit Bajram Begaj për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në lehtësimin e një dialogu që mund t’i hapë rrugë zgjidhjes së tensioneve politike në vend.
Deklarata e OSBE erdhi sonte pak orë pasi Presidenti Bajram Begaj për herë të parë foli sot për dialog që çon në zgjidhje politike të situatës kritike të krijuar në vend.
Në reagimin e saj, OSBE i referohet drejtpërdrejt mesazhit të kreut të shtetit, ndërsa nuk përmend kryeministrin Edi Rama dhe kjo po shihet nga disa si anashkalim i kreut të mazhorancës.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret mesazhin e sotëm të Presidentit Begaj. Ne i bashkohemi thirrjes për qetësi dhe dialog gjithëpërfshirës dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në lehtësimin e një dialogu të tillë, nëse na kërkohet”, thuhet në deklaratë.
Qëndrimi i OSBE-së vjen pas mesazhit të Presidentit Begaj, i cili, në kushtet e protestave dhe përplasjeve të dy ditëve të fundit, sot pasdite u ka bërë thirrje palëve të shmangin dhunën dhe të gjejnë rrugën e dialogut.
Presidenti tha se zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht ai i të rinjve, ndërsa ka paralajmëruar se dhuna vetëm sa thellon përçarjet në shoqëri.
“Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve”, shprehet Begaj, duke kërkuar maturi dhe përgjegjshmëri nga të gjitha palët.
Kreu i shtetit ka ofruar institucionin e Presidencës si hapësirë për dialog dhe mirëkuptim mes aktorëve të përfshirë.
“Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi”, deklaron Presidenti.
Mbështetja e OSBE-së për këtë thirrje dhe gatishmëria për të lehtësuar dialogun vendosin në vëmendje mundësinë e një procesi komunikimi mes palëve për kapërcimin e situatës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






