Transmetuar më 15-10-2026, 17:32

Protestat antiqeveritare në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen e mediave greke, të cilat raportojnë për tensionet dhe incidentet e dhunshme të regjistruara prej tri ditësh në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.

Në një artikull të publikuar nga media greke Zougla.gr, përshkruhet situata e krijuar në kryeqytet, ku protestat e studentëve dhe nxënësve janë shoqëruar me përplasje me policinë, sulme ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.

Sipas raportimit, protestuesit kanë hedhur gurë, shkopinj dhe bomba molotov në drejtim të godinave shtetërore, ndërsa janë regjistruar edhe zjarrvënie në banka dhe dëmtime të bizneseve. Policia, nga ana tjetër, ka ndërhyrë për shpërndarjen e turmave, duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji.

Përplasjet pranë ministrive dhe institucioneve shtetërore

Media greke raporton se një valë e re incidentesh është regjistruar pasditen e së enjtes, më 15 tetor, kur grupe protestuesish janë drejtuar drejt Parlamentit dhe institucioneve të tjera qeveritare.

Sipas artikullit, tensionet janë përqendruar pranë ministrive të Arsimit, Financave, Ekonomisë dhe Infrastrukturës. Dëmtime janë raportuar gjithashtu në dy degë bankash, biznese tregtare dhe në selinë e Partisë Socialiste.

Artikulli përmend edhe dëmet e shkaktuara në godinën e Ministrisë së Arsimit, ku janë thyer xhama dhe është raportuar për zjarr brenda ndërtesës.

Rama: Nuk jap dorëheqjen

Në fokus të raportimit është edhe qëndrimi i kryeministrit Edi Rama, i cili, sipas medias greke, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Rama ka akuzuar opozitën për nxitjen e akteve të dhunës, ndërsa ka theksuar se incidentet nuk përfaqësojnë shumicën e studentëve që protestojnë.

Sipas artikullit, kryeministri ka rikonfirmuar gjithashtu se qeveria mbetet e hapur për dialog lidhur me kërkesat e të rinjve.

Nga kërkesat studentore te protesta kundër qeverisë

Media greke vëren se protestat nisën me kërkesa që lidhen me arsimin dhe kushtet e jetesës së studentëve, por më pas morën një karakter më të gjerë politik.

Ndër shqetësimet e ngritura përmenden kostot e studimeve dhe të jetesës, infrastruktura universitare, mungesa e mbështetjes shtetërore dhe vështirësitë për punësimin e të rinjve.

Sipas raportimit, gjatë protestave janë shtuar edhe sloganet kundër korrupsionit dhe qeverisë.

Artikulli ndalet gjithashtu te aktiviteti i “Lëvizjes së Flamingove”, e cila, sipas medias greke, ka organizuar gjatë muajve të fundit protesta kundër projekteve të mëdha turistike në jug të Shqipërisë, përfshirë projektin e lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Media greke e përshkruan situatën në Shqipëri si një përshkallëzim të tensioneve politike dhe sociale, ndërsa protestat vijojnë mes përplasjeve dhe kërkesave për ndryshime.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit