Transmetuar më 15-10-2026, 16:57

Një nënë në Durrës ka denoncuar mungesën e informacionit për djalin e saj 16-vjeçar, i cili, sipas saj, është shoqëruar nga policia gjatë zhvillimeve të sotme.

Gruaja tregon se i biri, nxënës në vitin e dytë të shkollës së mesme, ishte larguar nga shkolla dhe po kthehej në këmbë, pasi nuk kishte autobusë. Sipas saj, adoleshenti është marrë nga policia së bashku me persona të tjerë.

E shqetësuar për të birin, nëna pretendon se ka tentuar disa herë të kontaktojë me policinë, por nuk ka marrë informacion për vendndodhjen dhe gjendjen e tij.

“Kam djalin, ka dalë nga shkolla dhe është nisur në këmbë sepse nuk ka pasur autobusë dhe e kanë marrë bashkë me të tjerët, e kanë futur brenda. 16 vjeç është, viti i dytë në shkollë të mesme.

Policia nuk hap as telefonin të thotë se e kemi marrë ne. Unë i bie telefonit të djalit, ai hiç. Derisa erdhi burri nga puna dhe erdhi e gjeti këtu.

Tani që morëm vesh se është në polici, nuk na japin asnjë informacion se si është fëmija”, është shprehur ajo.

Deri në momentin e raportimit, nuk ka informacion të mëtejshëm lidhur me rrethanat e shoqërimit të 16-vjeçarit apo gjendjen e tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit